Raportonte për luftën në Ukrainë, mbyllet mediumi në Rusi

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 11:18
Raportonte për luftën në Ukrainë, mbyllet mediumi në Rusi

Stacioni i pavarur i radios ruse “Echo of Moscow” njoftoi të enjten se do të mbyllet pas vendimit të autoriteteve për ta hequr stacionin nga transmetimi, raporton CNN.

“Me shumicë votash të Bordit të Drejtorëve të Echo of Moscow, u mor vendim për likuidimin e kanalit radiofonik dhe faqes së internetit të Echo of Moscow”, thuhet në një deklaratë në faqen e radios.

Më 1 mars, autoritetet ruse ndërmorën veprime për t’i bllokuar faqet e internetit të Echo of Moscow dhe një tjetër medie të quajtur TV Rain dhe e hoqën Echo of Moscow nga transmetimi për shkak të mbulimit të luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë akuzoi Echo of Moscow dhe TV Rain për shpërndarjen e asaj që ai e quajti “informacion i njohur si i rremë në lidhje me veprimet e ushtarakëve rusë, si pjesë e një operacioni special për ta mbrojtur Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut”.

Prokurori i Përgjithshëm tha gjithashtu se të dy mediat kishin postuar informacione “për ekstremizëm, dhunë kundër qytetarëve të Federatës Ruse, shkelje masive të rendit publik dhe sigurisë publike”.

Autoritetet në Rusi ndalojnë tubimet pa leje dhe mund ta konsiderojnë transmetimin ose raportimin e informacionit specifik për tubime të paautorizuara si organizim të protestave të paligjshme.

(Kosova Sot Online)