Krasniqi: Qeveria të marrë hapa për aplikimin në BE, NATO e Këshill të Europës

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 11:25
Krasniqi: Qeveria të marrë hapa për aplikimin në BE, NATO e Këshill të Europës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke thënë se mbështesin Ukrainën dhe qytetarët e saj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfrytëzojë këtë momentum dhe të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Europës.

Po ashtu, Krasniqi tha se Kosova duhet të konkretizojë ndihmën ndaj Ukrainës duke krijuar një fond të veçantë për qeverinë dhe qytetarët ukrainas, si dhe në rast nevojë të bëhet nikoqire e refugjatëve që dhunshëm po lënë vendin e tyre.

“Është momenti i duhur që të bëhemi si shtet proaktiv për të ndërmarrë veprime dhe për të realizuar aspiratat tona në ato organizata dhe institucione që ndajmë vlera të përbashkëta. Është një emergjencë institucionale dhe shtetërore, prandaj menjëherë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që edhe përmes rezolutës që të bëjë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës, ku i kemi plotësuar kushtet dhe kur Rusia është përjashtuar, të bëjë aplikimin për të marrë statusin e shtetit kandidat në BE, si dhe aplikimin në NATO për të kërkuar pranimin në partneritetin për paqe si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë”.

Krasniqi tha se në të gjitha këto përpjekje, PDK ofron bashkëpunim të plotë dhe kërkoi unitet të brendshëm.

(Kosova Sot Online)