1.45 euro çmimi i naftës sot në Kosovë

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 11:42
1.45 euro çmimi i naftës sot në Kosovë

Çmimi i naftës ka shënuar rritje edhe në Kosovë. Ka muaj që ka filluar rritja e çmimeve të produkteve të ndryshme elementare në vend.

Sot në Kosovë çmimi i naftës ka arritur deri në 1 euro e 45 cent, teksa në disa pompa derivatesh nafta ka shkuar deri në 1 euro 49 cent. Ndërsa çmimi i benzinës është 1 euro e 47 cent.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e çmimeve shitëse maksimaletregtare me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.

Qeveria e Kosovës më 2 shkurt, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës, ka caktuar marzhën tregtare.

Ky vendim përcakton që te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.

Vendimi i Qeverisë hyn në fuqi më 3 mars dhe do të jetë në fuqi deri më 31 maj 2022.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për REL se ky vendim vë në rrezik mbijetesën e bizneseve në këtë sektor.

“Vendimi i Qeverisë nuk është adekuat nuk është i përshtatshëm për bizneset. Një pikë karburanti nuk mund t’i mbijetojë krizës. Ne e kuptojmë se çfarë situate ekonomike është në Kosovë”, thotë Berjani.

“Çmimet e derivateve janë të larta për qytetarët, por kjo është duke ndodhur në tërë botën”, shton ai.

(Kosova Sot Online)