Simiq gojën plot paqe teksa flet për Ukrainën: Serbia është kundër luftërave

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 12:23
Simiq gojën plot paqe teksa flet për Ukrainën: Serbia është kundër luftërave

Serbia nuk është rreshtuar krah botës demokratike për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit që ka filluar në Ukrainë, duke treguar hapur për lidhjen e fortë mes dy shteteve.

Lidhur me situatën e krijuar në Ukrainë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili e ka pasur gojën plot paqe dhe qëndrime kundër luftërave, edhe pse para më shumë se 20 vjetësh shteti serb dhe regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit ka vrarë, masakruar mijëra civilë të pafajshëm dhe të pa armatosur në Kosovë.

Simiq nga Lista Serbe, parti kjo që është aparat i Aleksander Vuçiqit, ka thënë se serbët e Kosovës qëndrojnë kundër luftës dhe kundër humbjes së jetëve kudo që ndodhin ato.

Derisa ka gjetur kurajën që të kritikojë politikanët dhe deputetët e Kosovës, prej të cilëve ka edhe të mbijetuar të masakrave të luftës në Kosovë, për kinse “fjalime që po cenojnë paqen, për të cilën serbët janë ende duke punuar”.

“Nuk dëshirojmë që të kemi tensione me këto të thëna, sepse në Ballkan popujt tonë kanë vuajtur shumë, prandaj rajoni jonë duhet të jetë veçmas. Paqja s’ka çmim, qytetarët tonë s’duan të kenë tensione dhe luftë. Përfaqësuesi politikë të qytetarëve bartin përgjegjësi të veçantë. Në emër tim dhe përfaqësuesve të serbëve, kërkoj t’i mateni fjalimet tuaja, mos të cenoni paqen që e kemi ndërtuar në këto vende dhe ende po punojmë”.

Simiq, pa e thënë asnjë fjalë për të kaluarën dhe për atë se Serbia ka qenë shkaktare e luftërave të përgjakshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, e për të cilat s’ka kërkuar falje asnjëherë, ka thënë se Serbia është kundër çfarëdo lloj konflikti.

 “Serbia dhe vendi i Serbisë është kundër çfarëdo lloj konflikti”, ka thënë deputeti i Listës Serbe.

(Kosova Sot Online)