Ukraina: Ne sigurojmë ushqim për 400 milionë njerëz, na mbroni që t’ju mbrojmë nga uria

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 14:49
Ukraina: Ne sigurojmë ushqim për 400 milionë njerëz, na mbroni që t’ju mbrojmë nga uria

Shteti i Ukrainës po vazhdon thirrjet për ndihmë për ta ndalë agresionin rus në territorin e saj.

Ministria e Jashtme përmes një postimi në Twitter ka thënë se Ukraina është siguruese e ushqimit për 400 milionë njerëz të botës dhe mbrojtja e saj nga lufta nënkupton mbrojtje nga uria.

“Ukraina siguron përafërsisht ushqim për 400 milionë njerëz, që është 5% e popullatës së botës. Mbrojtja e Ukrainës është gjithashtu edhe mbrojtje nga uria”.

Fillimi i agresionit rus në Ukrainë u pa edhe si një rrezik për destabilizim në furnizimin e ushqimit.

Dhjetëra vende në Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Afrikën e Veriut që tashmë vuajnë nga pasiguria ushqimore mbështeten në furnizimet e bollshme të grurit, misrit dhe vajit vegjetal të Rusisë dhe Ukrainës. Ekspertët thonë se konflikti mund të çojë në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe rritjen e urisë globale.

(Kosova Sot Online)