Ukrainasit mbërrijnë në Bjellorusi për takimin e dytë me rusët

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 15:26
Ukrainasit mbërrijnë në Bjellorusi për takimin e dytë me rusët

Anëtarët e delegacionit ukrainas kanë mbërritur në Bjellorusi ku do t’i vazhdojnë bisedimet me palën ruse, citon The Guardian agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

Ministria e e Punëve të Jashtme e Bjellorusisë ka publikuar fotografi të një dhome konferencash, duke thënë se ajo është krijuar për t’i pritur negociatorët e të dy palëve për një raund të dytë bisedimesh.

Më herët, pala ukrainase njoftoi se ishte nisur drejt vendtakimit, që sipas Vladimir Medinskyt, asistentit të presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë në Bjellorusi, afër kufirit me Poloninë.

Mykhailo Podoliak, këshilltar i Shefit të Zyrës së presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ka publikuar një fotografi nga helikopteri, duke njoftuar se janë nisur drejt vendit ku do të takohen me pushtuesit.

“Rrugës për negociata me Federatën Ruse. Tashmë në helikopterë”, shkroi Podoliak në Twitter.

Dje u raportua gjithashtu se pritej një takim mes dy delegacioneve, por kjo nuk ndodhi.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, raportoi të mërkurën se delegacioni rus ishte nisur drejt vendit ku pritet të mbahej takimi i dytë Ukrainë – Rusi.

Reuters për këtë e kishte cituar agjencinë e lajmeve të Bjellorusisë, Belta. Për një takim të mundshëm dje kishte raportuar edhe mediumi britanik The Guardian.

Por të mërkurën pasdite, Mykhailo Podoliak, këshilltar i Shefit të Zyrës së presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se pala ukrainase nuk është paraqitur në tavolinën e bisedimeve me palën ruse.

“Është e dyshimtë se pa praninë e palës tjetër (ukrainase) në tryezën e bisedimeve, negociatat mund të zhvillohen realisht. Pra, prisni vetëm fillimin e vërtetë të dialogut”, ka shkruar ai në Twitter.

Të hënën, Ukraina dhe Rusia u takuan për herë të parë që kur forcat ruse të Putinit nisën pushtimin e vendit fqinj.

(Kosova Sot Online)