Loja e BIA-s me simbolet e UÇK-së, e sfiduan funksionimin e AKI-s dhe dështimin e Prokurorisë!

Loja e BIA-s me simbolet e UÇK-së, e sfiduan funksionimin e AKI-s dhe dështimin e Prokurorisë!

Hajrullah Tërnava

  • 03 March 2022 - 13:46

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Rasti i kapjes së tre qytetarëve serb që ishin kyç për blerje të uniformave dhe simboleve të UÇK, është një përvojë jo e këndshme për ne shqiptarët, sepse e mbajmë në mend fare mirë që serbët me uniforma të UÇK kanë bërë masakra në Pejë dhe vende tjera, si rasti “PANDA” ndaj fëmijëve dhe të rinjve serb, i cili rast kishte për qëllim të përhapjes së propagandës se si UÇK-ja ka veprua në mënyrë të pamëshirshme dhe i ka masakrua grupin e të rinjve dhe të rejave të komunitetit serb. Loja e pjesëtarëve të BIA-s serbë më simbolet e UÇK-s e ka nxjerr me notë të dobët dhe në befasi të madhe funksionimin e AKI-s por edhe dështimin e Prokurorisë.

Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të jenë shumë të kujdesshme që të mos përsëritet edhe njëherë skenari i krimit serb mbi qytetarët e këtij komuniteti, nga vetë strukturat kriminale serbe, si “PANDA 2”, e që në rastin e parë vrasja e fëmije ishte bërë për t’ia arritur qëllimit të dezinformimit të së vërtetës, e si qëllim ishte që tani të shfrytëzohet ushtria serbe për të kryer vepra kriminale në shenjë hakmarrje ndaj popullatës shqiptare, sikur që i kanë kryer këto masakra. Raste te keqpërdorimeve te uniformave të UÇK-së ka pasur në shume raste, dhe ato i kanë pohuar e pranuar edhe vetë ish ushtarët- luftëtarët serb gjatë debateve nëpër TV-të serbe, ku deklaronin se eto vepra kriminale që i kanë krye, kanë arritur ti bëjnë duke u kamufluar me uniforma të UÇK-së. Në këtë mënyrë atë gjatë luftës kanë depërtuar thellë në brendësi të fshatrave shqiptare dhe kanë djegur shtëpitë, vrarë e masakruar popullatën shqiptare, prandaj edhe ky rast i kapjes së tre qytetarëve serb, që mund të dyshohen për agjentë të BIAS serbe, duke blerë uniforma të UCK-së, kanë pasur për qëllim që këto simbole, ti keqpërdoren nëse iu ipet rasti për ndonjë skenar serioz të provokimit.

Unë mendoj se tani ka ardhur koha, mbase kjo është dashur të bëhet edhe më herët, që këto uniforma e simbole të UÇK-së të trajtohen si brend shtetëror dhe vlerë e luftës së Kosovës, dhe të mbrohen edhe me ligj, të mos lejohet abuzimi me uniformën dhe simbolet tjera të UCK-së për çështje biznesi. Me ligj duhet të ndalohet prodhimi dhe nxjerrja e pa autorizuar në treg, sikur që e kemi pasur dhe e kemi edhe sot, sepse kjo është vetëm një mundësi biznesi për përfitim material, e që nga rrjete e shërbimeve sekrete serbë është përdorur në disa raste, për inskenim të situatave subversive terroriste në emër të shqiptarëve, për kinse sulme ndaj qytetarëve të komunitetit serb.

Edhe ky rast i fundit tregon për anën tjetër të dobët të medaljes, brishtësinë dhe jo funksionalitetin e strukturës së AKI-së, e cila do të duhej me kohë për ti zbuluar dhe izoluar grupet e tilla kriminale të cilat përmes uniformimit me simbolet të UÇK-së po planifikonin skenar të sulmit ndaj qytetarëve serb në zonat e banuara me shumicë serbë, më qëllim të destabilizimit dhe për ti dhënë pretekst Serbisë për hapjen e frontit të intervenimit me pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve të saj nga sulmet shqiptare me qëllim të pastrimit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se njëri nga tre serbët e arrestuar në Prishtinë ishte pjesë e Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se kishte kontakt direkët me Rusinë.

Haxhiu në një konferencë për medie ka deklaruar se serbët që blenë uniforma ushtarake dhe emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund ta cenojnë sigurinë dhe t’i shtojnë tensionet në Kosovë, sepse Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri prej personave të shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata e Rusisë, individë të strukturave të Agjencisë Serbe të Inteligjencës. Ajo ka thënë se sipas informacioneve nga Institucionet e sigurisë, personat e dyshuar, kanë hyrë nga Serbia në Kosovë po të njëjtën ditë, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.

Sipas institucioneve të sigurisë, personat në fjalë, nga kamerat, shihen duke u interesuar për të blerë veshmbathje ushtarake uniforma dhe çizme. Mirëpo për shkak se policia ka rastisur të jetë aty ata kanë blerë vetëm 5 emblema të UÇK-së. Ajo ka pohuar se institucionet e sigurisë, kanë informacione se të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici ka komunikime të shumta me persona nga Federata ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe, prandaj kanë mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë bashkë me struktura të Serbisë, të përgatisin ndonjë aktivitet që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet ndëretnike. Madje Ministrja Haxhiu e ngre akoma më shumë shqetësimin për mos funksionim të drejtësisë pasi që përkundër këtyre informacioneve, Prokuroria Speciale ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar.

Ajo ka thënë se ky veprim i Prokurorisë është i befasishëm si për Qeveri ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse neglizhenca apo mos kokëçarja e Prokurorisë është injorim i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Madje ajo ka thënë se këto janë veprime të çuditshme të Prokurorisë ndaj dyshimeve të rëndësishme që kanë ofruar institucionet e sigurisë. Bazuar në këtë rast, Ministrja Haxhiu ka alarmuar duke kërkuar nga institucionet e vendit, që sidomos gjatë këtyre rrethanave të krijuara pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rreshtimit të Serbisë krahë Rusisë, të kenë bashkëpunim të fuqishëm dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme, sepse edhe në të kaluarën, vetëm kur kemi pasur bashkëpunim institucional dhe kujdes të shtuar e profesionalizëm kemi pasur sukses.

Haxhiu ka thënë se këto veprime të fundit, dëshmojnë që reformat që kanë nisur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë janë të domosdoshme, janë më të nevojshme se kurrë dhe për të cilat do të punohet pa ndalë për të pasur institucione të përgjegjshme të drejtësisë, Prokuror e gjyqtar që e zbatojnë ligjin dhe mbrojnë interesin e qytetarit e të shtetit. Në bazë të kësaj dhe konstatimeve, ishte dashur që personat në fjalë të burgosen dhe të fillohen hetimet prej disa ditësh, apo edhe mujore, dhe nëse konstatohet se nuk ka elemente të krimit, tre personat kishin pasur mundësi që mbas procedurave ligjore të lirohen, apo në të kundërtën, nëse konstatohet se kanë pasur përgjegjësi do të duhej të përgjigjen para gjygit, dhe të dënohen për ato vepra. Me këto veprime do të ndikohej në të ardhmen edhe te të tjerët persona që janë në gjendje ti imagjinojnë dhe të kryejnë veprime të tilla, e që do të dihej qartë se kush kryen vepra të tilla do të dënohet sipas ligjeve në fuqi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".