Kurti: Evropa duhet ta integrojë luftën çlirimtare të Kosovës e jo varrezat masive që fshehin masakrat e ushtrisë serbe në trupin e shtetit serb

  • E.K /
  • 05 March 2022 - 13:05
Kurti: Evropa duhet ta integrojë luftën çlirimtare të Kosovës e jo varrezat masive që fshehin masakrat e ushtrisë serbe në trupin e shtetit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se Bashkimi Evropian duhet ta integrojë luftën çlirimtare të Kosovës dhe jo varrezat masive që fshehin krimet e ushtrisë serbe në trupin e shtetit serb.

Ai tha se Evropa afër idealit të saj është vetëm kur e ndjen se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të sigurt në zgjedhjen e tyre evropiane.

“Evropa afër idealit të saj është ajo që e ndjen se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të sigurt në zgjedhjen e tyre evropiane. Një bashkësi evropiane e fuqishme, sa e drejtë do të kuptojë që Ballkani ka qenë çështje e ngutshme jo e shteteve të saj por e vet Evropës”, ka thënë Kurti.

Më tutje Kurti tha se nuk duhen luftërat që të kuptohet subjektivizmi i botës serbe dhe ruse.

“Harmonia në Ballkan nuk është e vetvetishme nëse nuk është pjesë e ngutshme e projektit të Evropës. Nuk na lipsen luftërat për ta kuptuar subjektivizimin e botës serbe dhe të botës ruse. Shqiptarët janë aleatët e Evropës, kanë qenë dhe do të jenë aleatë të demokracisë”, deklaroi Kurti

Kryeministri e ka parë çështje urgjente integrimin e Kosovës në BE.

“Sa më shumë BE-ja i mbante larg vetes shqiptarët aq më shumë funksioni ynë shtetëror dëmtohej në nivelin tonë të brendshëm e demokratik. Sot koha e neutralitetit mori fund,. Neutraliteti nuk bën pjesë në politikë, por vetëm në diplomacinë pa politikë dhe pa parime. Ndaj ne nuk ngutemi. Institucionet e Evropës duhet që të nguten. Ne duhet të integrohemi në vetvete demokratisht e kjo kushtëzohet e lehtësohet në masën dhe shpejtësinë me të cilën na integron BE-ja,. Një popull që ka Epope Çlirimtare nuk do të duhej që të kishte Epope refugjatësh, por vetëm Epope integrimesh”, tha ai.

Më tutje, kryeministri deklaroi se Evropa duhet që ta integrojë luftën çlirimtare të Kosovës e jo varrezat masive që fshehin masakrat e ushtrisë serbe.

“Evropës i duhet që ta integrojë luftën çlirimtare të Kosovës dh jo varrezat masive që fshehin masakrat e Ushtrisë serbe, në trupin e shtetit serb. Nuk ka neutralitet kur bëhet fjalë për ndjenjën e lirisë. Nuk ka simetri mes pushtimit dhe lirisë. Sa më shumë që tolerohet në simetrinë e gabuar, aq më shumë bashkësitë demokratike bien në faj dhe aq më të pakthyeshme bëhen pasojat”, tha ai.

(Kosova Sot Online)