“Telefonata e Merkelit për hyrjen e Ukrainës në BE” nga filmi i Zelenskyt

  • E.K /
  • 05 March 2022 - 13:21
“Telefonata e Merkelit për hyrjen e Ukrainës në BE” nga filmi i Zelenskyt

Përpara se të ishte në krye të Ukrainës, Zelensky ka qenë aktor komedish, e në njërin prej serialeve (Shërbëtori i Popullit) ka luajtur pikërisht rolin e presidentit të Ukrainës.

Në njërën nga skenat, Zelensky merr një telefonatë nga kancelarja gjermane e asaj kohe, Angela Merkel, ku njoftohet se Ukraina është bërë pjesë e BE-së.

Presidenti i Ukrainës kënaqet tej mase, por lumturia e tij nuk do të zgjasë shumë. Telefonata ka qenë gabim, pasi Merkel donte të telefononte presidentin e Malit të Zi.

Sot Zelenksy është vërtet president i Ukrainës, dhe para disa ditësh firmosi aplikimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, në kohën kur Ukraina po përballet me sulmet agresive ruse.

Qindra civilë kanë vdekur në Ukrainë prej sulmeve, mes tyre fëmijë, ndërsa vetëm sot, 10 ditë pas luftimeve, Rusia ka shpallur hapjen e korridoreve humanitare në dy qytete të Ukrainës për evakuimin e civilëve.

Zelensky është bërë një figurë e dashur për një pjesë të mirë të njerëzve për shkak të qëndrimit që po mban në mbrojtje të vendit që udhëheq./Euronews

(Kosova Sot Online)