Shërbimi sekret i Ukrainës publikon të gjitha humbjet e Rusisë: 11 mijë ushtarë, dhjetëra helikopterë e avionë, qindra tanke

  • E.K /
  • 07 March 2022 - 12:09
Shërbimi sekret i Ukrainës publikon të gjitha humbjet e Rusisë: 11 mijë ushtarë, dhjetëra helikopterë e avionë, qindra tanke

Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës ka publikuar shifrat e të gjitha humbjeve ushtarake, që ata thonë se i ka pësuar Rusia, prej kur hyri në territorin e Ukrainës.

Ukraina ka bërë matjet e saj, se sa humbje ka pësuar ushtarakisht Rusia, prej fillimit të luftimit, më 24 shkurt. Sipas autoriteteve ukrainase, në 11 ditët e luftës, Rusia ka humbur rreth 11 mijë ushtarë.

“Të gjitha humbjet ushtarake të armikut, nga 24 shkurti, deri më 7 mars kanë qenë mesatarisht këto”, thuhet në postimin e Shërbimit të Inteligjencës.

Të dhënat e pubilikuara nga Shërbimi i Inteligjencës

Aty thuhet se Rusia ka humbur 46 avionë ushtarakë dhe 68 helikopterë.

Forcat tokësore ruse, sipas të dhënave të palës ukrainase, kanë pësuar edhe më shumë dëme. Rusët humbën 290 tanke, 999 automjete të ushtrisë të llojit AVP, 454 automjete të tjera.

Aty janë listuar edhe humbjet e sistemeve artilerike dhe anijeve.

Rusia sulmoi Ukrainën, me urdhër të Presidentit të saj, Vladimir Putin, i cili thoshte se po e çonte ushtrinë për një “operacion special”. Forcat ruse hasën në rezistencë të ushtrisë dhe popullit të Ukrainës. Edhe pas 12 ditësh, Rusia po i vazhdon përpjekjet për ta marrë kryeqytetin ukrainas, Kyivin, të cilit ia ka mësyrë që ditën e parë të luftimeve.

(Kosova Sot Online)