Politikat përçarëse të Putinit, marrëdhëniet ndër vite me ShBA-në dhe Perëndimin

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 08:32
Politikat përçarëse të Putinit, marrëdhëniet ndër vite me ShBA-në dhe Perëndimin

Presidenti rus, Vladimir Putin, mori pushtetin më 31 dhjetor 1999, e që prej asaj kohe, udhëheqësi i këtij vendi ka qenë një nga faktorët e mosfunksionimit të sistemit global dhe shkatërrimit të rendit ndërkombëtar liberal. Ish-agjenti i spiunazhit të KGB-së, donte të kthente kohën pas: të ringjallte madhështinë cariste të Rusisë, të rivendoste fuqinë dhe kërcënimin e Bashkimit Sovjetik, përpara shpërbërjes së tij në 1991, raporton A2CNN.

Ky revanshist rus është bërë udhëheqësi ndërkombëtar më përçarës i shekullit të 21-të. Nga Çeçenia në Krime, nga Siria në Salisbury, Putin gjithmonë ka tentuar të nxisë konflikte. Herë pas here, është përpjekur edhe të ripërcaktojë hartën e Evropës, si dhe të dobësojë Amerikën.

Putini erdhi në pushtet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ishin superfuqia e vetme në botë. Veçanërisht në ditët e para të udhëheqjes së tij, nuk ishte shumë e kuptueshme qasja që ai do të ndiqte, por në pak kohë gjërat u qartësuan: Putini po përpiqej të rrënonte historinë dhe të pengonte demokratizimin me çdo kusht, edhe me humbje jetësh njerëzore.

Putin dhe Presidentët e SHBA-së

Presidentët e njëpasnjëshëm të SHBA-së janë ndeshur me faza të ndryshme të ecurisë politike të liderit rus. Kur Putin erdhi në pushtet, Bill Clinton, po përpiqej të nxiste zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. Siç paralajmëroi në atë kohë George F Kennan, arkitekti i famshëm i strategjisë së kontrollit të Luftës së Ftohtë të Amerikës: “Zgjerimi i NATO-s do të ishte gabimi më fatal i politikës amerikane në të gjithë epokën e pas Luftës së Ftohtë”.

Image

Bill Clinton nxiti zgjerimin e NATO-s për të cilin disa thanë se ishte një gabim

Më vonë, George W Bush e gjykoi kështu homologun e tij rus: “E pashë në sy. Arrita të kuptoja shpirtin e tij”. Bush gabimisht mendoi se mund ta “mashtronte butësisht” Putinin në rrugën demokratike. Por edhe pse Bush vizitoi Rusinë më shumë se çdo vend tjetër – lideri rus gjithsesi po shfaqte gjithnjë e më shumë tendenca të rrezikshme despotike.

Në vitin 2008 – viti i fundit i Bushit si president – Putin pushtoi Gjeorgjinë, në atë që ai e quajti një “operacion për vendosjen e paqes”. Kremlini argumentoi atëherë se ishte hipokrite që Uashingtoni të ankohej për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi Bush kishte pushtuar Irakun.

Image

George Bush priti Vladimir Putin në fermën e tij në Teksas

Barack Obama u përpoq të riformulonte marrëdhëniet SHBA-së me Rusinë. Por Putini hamendësonte se Amerika, pas luftërave të saj të gjata në Afganistan dhe Irak, nuk donte më të kontrollonte botën. Kur Obama refuzoi në vitin 2013 të zbatonte paralajmërimin e tij të vijës së kuqe kundër Bashar al-Assad – diktatori sirian që përdori armë kimike kundër popullit të tij – Putin pa një dritë jeshile. Duke ndihmuar Assadin të kryente luftën e tij vrastare, ai zgjeroi sferën e ndikimit të Moskës në Lindjen e Mesme, kur Shtetet e Bashkuara donin të tërhiqeshin nga rajoni. Një vit më pas, ai aneksoi Krimenë dhe vendosi një pikëmbështetje në Ukrainën lindore.

Pas largimit të Obamës, Putin u përpoq të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, me shpresën se Hillary Clinton, një armike për një kohë të gjatë, do të mposhtej dhe se Donald Trump, do të fitonte. Manjati i pronave të Nju-Jorkut nuk e fshehu admirimin e tij për Putinin, çka duket se i dha hov më tej presidentit rus. Trump kritikoi publikisht NATO-n, dobësoi sistemin e aleancës amerikane të pasluftës dhe u bë një figurë kaq polarizuese, saqë e la Amerikën më të ndarë politikisht se në çdo kohë që nga Lufta Civile.

Joe Biden, ashtu si George Bush, është një kundërshtar i Luftës së Ftohtë, i cili ia ka kushtuar presidencën e tij mbrojtjes së demokracisë brenda dhe jashtë vendit. Duke kërkuar të rivendosë rolin tradicional të Amerikës të pasluftës si lider i botës së lirë, ai ka kërkuar të mobilizojë komunitetin ndërkombëtar, ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe ka miratuar regjimin më të ashpër të sanksioneve të shënjestruar ndonjëherë kundër Putinit.

Image

Putin dhe Liderët Perëndimorë

Në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qenë një forcë e vërtetë shtytëse për të vepruar kundër regjimit dhe veprimeve agresive të Putinit. Për herë të parë në historinë e BE-së, u mor vendimi për të financuar dhe blerë armë për një komb të sulmuar, një angazhim që përfshin jo vetëm municione, por edhe avionë luftarakë.

Bashkatdhetari i saj, kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjithashtu ka treguar më shumë vendosmëri në marrëdhëniet me Putinin sesa paraardhësja e tij Angela Merkel. Berlini ka dërguar sisteme antitanke dhe kundërajrore në Ukrainë (duke i dhënë fund politikës së mosdërgimit të armëve në zonat aktive të luftës), pranoi bllokimin e Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT, dhe madje u zotua të shpenzojë 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes.

Në një situatë kaq kritike ku gjendemi sot, duket se udhëheqësit evropianë e kanë kuptuar se nuk mund të mbështeten më kaq shumë tek Uashingtoni për të mbrojtur demokracinë. Edhe gjatë fundit të Luftës së Ftohtë, Uashingtoni u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të bëjnë më shumë për të kontrolluar fqinjët e vet, diçka që nuk arritën ta bënin kur shpërbërja e ish-Jugosllavisë ndezi luftën në Bosnjë./A2CNN

(Kosova Sot Online)