Fotografia virale që shpjegon shumëçka: Zelensky me këmbët mbi tavolinën e famshme të Putinit

  • 08 March 2022 - 12:47
Fotografia virale që shpjegon shumëçka: Zelensky me këmbët mbi tavolinën e famshme të Putinit

Tavolina disametërshe nga shumëkush thuhet se shpjegon karakterin e Putinit prej paranojaku dhe mosbesuesi. Dikush ka montuar presidentin ukrainas përballë Putinit në atë tavolinë. Zelensky aty mban një pozicion, siç e shohin dhe admirojnë njerëzit nëpër botë; duket modern, moskokëqarës dhe pa respekt për Putinin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka diçka më të famshme së fundmi, sesa tavolinën e tij disametërshe. Aty, ai i mban takime në distancë, edhe më bashkëpunëtorët më të afërt.

Ka lloj-lloj legjendash pse Putini i do njerëzit në distancë. Të shumta janë ato rreth frikës që mund të ketë prej virusit, deri te ndonjë atentat.

Nga ana tjetër, është kundërshtari i tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Krejt i kundërt nga Putini. Nuk duhet ndonjë matje për të konstatuar se ai është i admirueshëm kudo në botë.

Derisa po shpërndahet një fotografi-montazhë e Zelenskyt në tavolinën e Putinit, gazetari Tim Judah shkruan se kjo jep një tregim përtej shakaje.

“Më e rëndësishme se sa vetëm shakaja është se si Zelensky ka zaptuar zemrat dhe mendjet në vendin e tij dhe jashtë. Zelensky është një burrë modern evropian, ndërsa Putini është vdekjeprurës dhe i largët nga qytetarët”, shkruan Judah.

Image

Foto e marrë nga korrespondenti i the Economist, Oliver Carroll/Twitter

Zelensky ka treguar se është i gatshëm ta takojë Putinin. Madje, në disa adresime publike, liderin e një shteti shumëfish më të fortë, e ka pyetur se pse po i frikësohet përballjes me të. Ia ka përmendur edhe tavolinën disametërshe, duke u tallur me të.   

Zelensky po qëndron në Kyiv, kryeqytetin e Ukrainës, që forcat ruse po tentojnë ta marrin që dy javë. Rezistencës popullore po i prin lideri ukrainas. 

Image

Foto e publikuar nga Zelensky gjatë ditëve të luftës

Është raportuar se ka pasur disa atentate ndaj tij. Zelensky duket i vetëdijshëm se është në rrezik për jetë. U ka thënë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe senatorëve amerikanë në lidhjet e tij direkte, se mund të jetë hera e fundit që e shohin të gjallë.

ShBA-ja i ka ofruar strehim Zelenskyt, por ai ka refuzuar të largohet nga kryqyteti ukrainas, rreth të cilit po bëhen beteja, e mbi të cilin po kryhen sulmet ajrore të Rusisë. 

Image

Nga një videoadresim i Zelenkyt, sapo kishte nisur lufta. Tregonte se ai dhe udhëheqja e shtetit është në Kyiv.

(Kosova Sot Online)