Serbia ndal shitjen e grurit, Kosova blen atje, por mullisët thonë se nuk vend për shqetësim

  • E.K /
  • 09 March 2022 - 15:13
Serbia ndal shitjen e grurit, Kosova blen atje, por mullisët thonë se nuk vend për shqetësim

Kosova do të duhet t’ju drejtohet shteteve të tjera për grurë, meqë vendi prej të cilit e importon më së shumti grurin, Serbia, e ka pezulluar eksportin. Eksportet i ka ndaluar edhe një prej furnizuesve më të mëdhenj të drithrave në Evropë, Ukraina. Si do t’ia bëjë tash Kosova për grurin që e importonte nga Serbia dhe a ka mjaftueshëm rezerva?

Nga nesër, Serbia nuk do të eksportojë më grurë nëpër shtetet e tjera. Përveç grurit, eskporti është pezulluar edhe për misër dhe vaj.

Për këtë ka njoftuar Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën. Si arsye për pezullim, Vuçiq e ka dhënë rritjen e jashtëzakonshme të eskportit në dy ditët e fundit.

Ndikim në rritjen e eksporteve nga ky shtet ka pasur edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, kur dihet se këto dy shtete janë prodhueset më të mëdha të grurit në botë.

“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, ka deklaruar Vuçiq.

Nga ky vendim i Vuçiqit, preket direkt vendi ynë. Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar  Express, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.

Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet. 

Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.

Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.

Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut.

Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si: Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda.

Image

Statistikat e Doganës

Duke iu referuar vendimit të Serbisë për pezullimin e eksportit, mullistët thonë se s’ka vend për shqetësim.

Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës ka thënë se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit.

I pyetur se për sa kohë mjaftojnë këto rezerva, ai ka thënë se s’mund të japin ndonjë afat kohor.

“Duhmi me analizu gjendjen. Por, për grurin kemi rezerva të mjaftueshme brenda vendit. Nuk mund të japim periudhë. Muajin e fundit është prodhuar aq shumë miell dhe aq shumë miell ka dalë në treg, saqë realisht ne e kemi stërmbush tregun me miell, pra ka sa sasi të mjaftueshme të grurit brenda Kosovës”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka treguar se sot do të mblidhen me mullistët për të diskutuar me detajisht këto çështje.

Ndryshe, në fund të shkurtit, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.

“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për 3 deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, ka thënë ajo.

Ajo kishte thënë se janë siguruar edhe nga vendet e tjera zotime për furnizim me miell, në rast se Kosova mbetet pa rezerva të grurit.

“Në vazhdën e sigurisë së mallrave ne do të analizojmë të gjitha mundësitë për të mbrojtur tregun tonë dhe po marrim të gjitha veprimet sipas legjislacionit në fuqi”, tha ajo.

Pas luftës në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që te furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohen nga procedurat e prokurimit.

Rezervat shtetërore shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës.

(Kosova Sot Online)