Ministrja e Jashtme gjermane: Nuk do te heqim dorë nga Ballkani Perëndimor

  • E.K /
  • 10 March 2022 - 08:30
Ministrja e Jashtme gjermane: Nuk do te heqim dorë nga Ballkani Perëndimor

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një pikë kthese që tregon qartë se Evropa duhet të jetë e gatshme të investojë strategjikisht në sigurinë e saj afatgjatë.

Dhe kjo vlenë para se gjithash për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka vlerësuar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para vizitës së saj në Sarajevë, Beograd, Prishtinë, e më pas në Moldavi.

Ajo theksoi se paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur, por është e çmuar.

“Ne duhet të themi hapur se kemi zhgënjyer dhe lënë pas dore shumë nga këto vende vitet e fundit. Në këtë kënd të hapur të Evropës po tentojnë të depërtojnë aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë interes për të ardhmen evropiane dhe nuk ngurrojnë të rindezin konfliktet e pazgjidhura. Unë jam duke udhëtuar tani në Ballkanin Perëndimor për të dëgjuar se çfarë presin njerëzit atje nga ne, por edhe për ta bërë të qartë se ne nuk do ta lëmë atë rajon në zemër të Evropës nën ndikimin e Moskës”, tha Baerbock.

Ajo theksoi se Evropa ka treguar ditët e fundit se është efektive dhe e vendosur për të kundërshtuar veprimet agresive të presidentit rus.

“Njerëzit në rajon do të na masin nëse fjalët tona do të pasohen nga vepra. Gjermania ka një interes themelor në Ballkanin Perëndimor, të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të begatë, pasi që këto vende janë të orientuara kah Evropa. Ne do të avokojmë për këtë në bisedimet e ardhshme politike dhe strategjike”, tha Baerbock

(Kosova Sot Online)