Si shkuan bisedimet? Deklaratat e Kulebas dhe Lavrovit pas takimit në Turqi

  • E.K /
  • 10 March 2022 - 11:39
Si shkuan bisedimet? Deklaratat e Kulebas dhe Lavrovit pas takimit në Turqi

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Ukraina është e gatshme të kërkojë zgjidhje të balancuara diplomatike, por se vendi nuk do të dorëzohet.

Ai tha se përshtypja e tij është se Rusia nuk është aktualisht në një pozicion për të vendosur armëpushim dhe se nuk ka diskutuar për furnizimet ushtarake për Ukrainën me ministrin e Jashtëm rus, raporton The Guardian.

Kuleba tha se Ukraina është e gatshme për diplomaci, por se janë gjithashtu të gatshëm ta mbrojnë veten.

“Ukraina nuk mund ta ndalë luftën nëse vendi që filloi agresionin nuk ka dëshirë ta bëjë këtë”, tha Kuleba.

Ai tha se shpreson se Rusia do të lejojë funksionimin e korridorit humanitar në Mariupol, qytetin të cilin tha se e kanë prioritet. Ai gjithashtu shpreson se mund të arrihen një armëpushim 24 orësh.

Kuleba tha se është i gatshëm ta vazhdojë angazhimin për ta ndalur luftën.

“Bisedimet ishin të lehta dhe të vështira. Rusia nuk u tërhoq nga pozicionet e saj. Situata momentalisht është shumë e vështirë në Mariupol i cili është duke u bombarduar nga forcat ruse. Kërkova nga ministri Lavrov krijimin e korridoreve humanitare në Mariupol për largimin e civilëve. Lavrov hezitoi pasi nuk ishte në gjendje të përgjigjej për këtë gjë pa marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse. Biseduam dhe për një armëpushim 24 orësh për të adresuar problemet humanitare, nuk arritëm progres. Jam i gatshëm të takohem sërish në këtë format”, tha ai.

Ndërkohë, Lavrov tha në një konferencë për shtyp se ia kujtoi Ukrainës se Rusia i kishte paraqitur propozimet e saj dhe se ata diskutuan për çështje humanitare.

Ai tha gjithashtu se Rusia është e përgatitur të diskutojë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe se Rusia do të dalë nga kriza me pikëpamje të freskuara për botën dhe pa iluzione për perëndimin.

Lavrov tha se “operacioni special”, siç e quan Rusia pushtimin e Ukrainës, po shkon sipas planit. Ai gjithashtu tha se furnizimi me armë i Ukrainës është një veprim i rrezikshëm.

“Si do t’i kontrollojnë këto armë? Ato mund të përhapen në të gjithë Europën. Ne nuk kemi plan të sulmojmë shtete të tjera. Nuk e kemi sulmuar Ukrainën. E kemi shpjeguar se kishte një kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe pas disa vitesh që ngritëm alarmin, askush nuk na dëgjoi. Kundër republikave në Donetsk dhe Luhansk ishin planifikuar sulme këtë muaj”, tha Lavrov.

(Kosova Sot Online)