Bllokimi i rrugës në terminalin doganor në Hanin e Elezit, flet ministri Aliu

  • E.K /
  • 10 March 2022 - 11:48
Bllokimi i rrugës në terminalin doganor në Hanin e Elezit, flet ministri Aliu

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu ka mbajtur një konferencë për media lidhur me bllokimin e një rruge në Terminalin Doganor në Han të Elezit, nga një operator privat që i kishte privatizuar pronat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Aliu tha se çdo gjë ka filluar më 1 nëntor të vitit të kaluar, kur edhe i morën ankesat e para për këtë çështje.

“Më 1 nëntor kemi marrë një ankesë nga agjentët doganor lidhur me bllokimin e terminalit në Hanin e Elezit, kështu që transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojën nëpër rrugën e cila është gjobitur dhe është kërkuar nga transportuesit që të paguajnë nga 40 euro për të hyrë në terminalin privat që ka qenë aty. Kjo ka qenë mundësia e vetme e tyre për të bërë zhdoganimin e mallrave, apo me kalu në atë terminal”, tha ai.

Më tutje, ministri deklaroi se si pasojë e bllokimit të kësaj rruge transportuesit e mallrave janë detyruar që të paguajnë 40 euro taksë, si dhe të paguajnë edhe për zhdoganimin e mallrave.

“Nëse ata do të donin të bënin zhdoganim në ndonjë terminal tjetër, ata do duhet që të paguanin aty 40 euro për me kalu, dhe prapë kur shkojnë në ndonjë terminal tjetër të paguajnë edhe 40 euro të tjera. Ky bllokim ka krijuar një situatë shumë të pavolitshme për transportuesit e mallrave dhe ka krijuar një precedent të keq, ky një operator privat e bllokon rrugën dhe detyron operatorët e transportit të mallrave të kalojnë domosdoshmërish të kalojnë nga një terminal i caktuar”, tha ai.

Ministri theksoi se pas privatizimit, operatori e ka bllokuar rrugën pa të drejtë.

“Pasi e kemi marr aneksesën, jemi informuar nga AKP-ja se si është puna dhe si ka ndodhur që është bllokuar kjo rrugë. E kemi kuptu që e gjithë zona në fjalë përbehet nga parcela që janë në menaxhim të AKP-së dhe që janë të privatizuar, por edhe në rastin kur janë parcelat e privatizuara, pronari i ri privat nuk ka të drejtë që të bllokojë rrugën e as në pronat që janë pronë e AKP-së”, tha ai.

Ai foli edhe për një vendim të gjykatës, ku këtij operatori i është dhënë të drejtë që ta bllokojë rrugën. E kjo për Aliun është vendim i çuditshëm.

“E kemi kuptuar që pengat janë vendosur në pronësi të privatizuar. Kanë qenë në pronësi që menaxhohen nga AKP. Kemi kërkuar nga AKP që të marr masa dhe të bëjë zhbllokimin e kësaj rruge. Ata kanë fillu me ba zhbllokimin dhe kanë has në problem ku tri nga ato parcela që janë në menaxhim të KAOP-së, kanë një vendim gjykate, ku gjykata i jep të drejtë operatorit privat që ta bllokojë pronën e AKP-së”, tha më tutje ai.

E me kontratën e privatizimit mes operatorit dhe AKP-së, sipas Aliu e drejta e bllokimit të rrugës është e ndaluar.

“Ky ka qenë një vendim i çuditshëm i gjykatës, sepse në këtë proces nuk ka qenë fare e përfshirë AKJP-ja. Operatori privat nuk mund të ketë të drejtën që të vendos pengesa fizike në pronë të dikujt tjetër. Madje nuk kishte të drejtën as në pronën që është privatizuar nga ai, sepse në marrëveshje ajo e drejtë e bllokimit të rrugës nuk i lejohet”, tha ai.

Aliu më tutje konfirmoi se përveç vendimit për zhbllokimin e rrugës, Qeveria ka marrë vendim edhe për shpronësimin e këtyre pronave që janë në menaxhim të AKP-së.

“Përfundimisht kemi marrë vendim që përpos zhbllokimit të rrugës, dje në mbledhjen e Qeverisë kemi marr vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave që janë në menaxhim të AKP-së,. Është e drejtë e qeverisë që këto prona t’i kthejë tek shteti dhe të mos ndodhin bllokime të tilla”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)