Kurti e quan fryrje artificiale çmimin e vajit: Aktualisht në Kosovë është më i larti në botë

  • E.K /
  • 10 March 2022 - 14:09
Kurti e quan fryrje artificiale çmimin e vajit: Aktualisht në Kosovë është më i larti në botë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i vajit prej 3.49 euro për një litër është artificial dhe i paarsyeshëm.

Ai tha se çmimi identik i vajit në dyqanet anembanë Kosovës nuk është i  rastësishëm.

“Po të ishte çmimi 3 euro e gjysmë do të thoshin që ndoshta edhe është e rastësishme, por ishte 3.49 cent. Anembanë marketeve në Kosovë po na njoftojnë qytetarët e Republikës, konsumatorët përmes fotografive të rafteve, çmimi identik 3.49 euro. 3.50 ndoshta do të ishte e rastësishmen por nuk është e rastësishme kjo përputhje anembanë Kosovës”, tha ai.

Kurti deklaroi se nuk ka asnjë arsye që të rritet kështu çmimi i vajit.

“Është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye, nevoje, për një fryrje të tillë”, tha ai.

Më tutje, kryeministri tha se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.

“Aktualisht çmimi i vajit në Republikën e Kosovës është më i lartë në botë. Bëhet fjalë për çmime të fryra të bëra nga faktori njeri e jo prej gjendjes objektive në terren. Këto çmime të fryra duhet të ç ‘fryhen”, tha ai.

Ai tha se çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial.

“Çmimi i vajit prej 3.49 cent është artificial, i paarsyeshëm dhe ka të bëjë me njerëz që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore e jo nga gjendja reale në Kosovë”, deklaroi Kurti.

(Kosova Sot Online)