Analisti politik me humor paralajmëron banorët e Kijevës së Kosovës që të kenë kujdes

  • E.K /
  • 11 March 2022 - 11:34
Analisti politik me humor paralajmëron banorët e Kijevës së Kosovës që të kenë kujdes

Analisti politik, Agon Maliqi, me ironi u ka bërë thirrje banorëve të fshatit Kijevë të Malishevës që të kenë kujdes për shkak të emrit që ngjason me kryeqytetin e Ukrainës Kiev aty ku po zhvillohen luftime.

Maliqi ka shkruar se dje në lagjen Jarun të Zagrebit është rrëzuar një dron i cili po raportohet se i përket Ukrainës dhe i njëjti me gjasë është programuar me cak një vend tjetër me emër të përafërt (Yarun) në Ukrainë.

“Një dron rus ose ukrainas qenka rrëzuar mbrëmë në Zagreb. Rasti shqetësues po hetohet. Një prej spekulimeve të hershme është se droni që ra në lagjen Jarun të Zagrebit mund të jetë programuar gabimisht duke e synuar një vend me emër të njëjtë (Yarun) të Ukrainës. Me fjalë të tjera, kujdes ju që jeni në Kijevë të Malishevës”, ka shkruar ai.

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmë rreth orës 23:00, në Kroaci. Sipas Dnevnik, shpërthimi u shkaktua pas rënies së një droni, që dyshohet se erdhi nga Ukraina.

Tyler Rogoway, ekspert i aviacionit ushtarak tha se studioi në detaje fotografitë e mbetjeve dhe arriti në përfundimin se ishte pothuajse me siguri një dron dhe beson se droni mbërriti në Kroaci nga Ukraina pasi u prish.

“Ne besojmë fuqimisht se ky është një dron zbulimi që duket si një raketë. Duhet të jetë prishur seriozisht, të ketë fluturuar në të gjithë Hungarinë dhe më në fund të jetë rrëzuar në Zagreb. Kohët e fundit u njoftua se Ukraina vuri në përdorim dronët e epokës sovjetike dhe sa me sa di unë, ukrainasit janë të vetmit në botë që përdorin dronin Tu-141”, ka shkruar Rogoway.

(Kosova Sot Online)