VETTING-u që do të sjell tërmet në drejtësinë e zaptuar nga krimi i organizuar!

VETTING-u që do të sjell tërmet në drejtësinë e zaptuar nga krimi i organizuar!

Hajrullah Tërnava

  • 11 March 2022 - 07:40

Shkruan: Analist - Hajrullah Tërnava

Miratimi dhe fillimi i zbatimit të VETTING-ut, sipas Ministres së drejtësisë duhet të jetë lajm i frikshëm vetëm për shkelësit e ligjit dhe aspak për profesionistët që duan shtet të së drejtës, punë të ndershme dhe barazi para ligjit.

-Gjendja e kriminalizuar rrënjësisht në Kosove tani po na bindë se këtu krimi ka lëshuar rrënjë qysh nga çlirimi e këndej, sepse atyre të kriminalizuarëve që janë pasanika po ju gjinden para nëpër banka të huaja të shteteve ku ata i kanë strehuar, inkasuar ato pare. Po ashtu po shihen edhe pasuritë e patundshme që janë për me u pa edhe me sy ato pasuri të tyre gjithkah në Kosovë dhe jashtë vendit tonë.

Të gjitha këto na japin me kuptue se ata të “fortit” nëpër të gjitha institucionet shtetërore i kanë punësuar njerëzit e tyre për tu ndie të sigurt kur ti kryejnë edhe ato veprime kriminale si qëllim të pasurimit të tyre, prandaj është e qartë tani që të korruptuarit dhe shërbëtorët e krimit të Organizuar në sistemin e drejtësisë, janë futur në ethe të ftohta nga frika e përafrimit të kohës së miratimit të ligjit VETTING.

Ata jo vetëm që po e kundërshtojnë atë, por edhe nuk kanë ofruar bashkëpunim dhe pjesëmarrje në grupin punues. Koha e kthimit të përgjigjes me komente nga komisioni i Venecias po afron prandaj Ministrja e Drejtësisë ka paralajmëruar se muajt e pranverës janë vendimtar për miratimin e këtij ligji dhe amendamente përkatëse për harmonizim me kushtetutën. Sipas Ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, reforma e thellë në drejtësi pritet të merr rrugë pas 16 marsit, kur pritet të bëhen publike edhe komentet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kemi përfunduar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese në raport me VETTING-un në sistemin e drejtësisë. Ne jemi në pritje të opinionit të Venecias në raport me koncept dokumentin për VETTING-un por edhe draftin e amendamenteve të cilat i kemi dërguar pranë komisionit të Venecias.

Sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni mbahet më 16 mars, për faktin se në praktikat e komisionit të Venecias drafti i opinionit dërgohet dy javë përpara në mënyrë që ne të kemi mundësinë që t’i japim komentet tona në raport me dokumentin në fjalë”, ka thënë Ministrja Haxhiu. Ajo madje është shumë optimiste se Komisioni i Venecias në shqyrtimin e deritashëm nga ekspertët veç i ka dhënë mbështetje ose t’i jap mbështetje amendamenteve kushtetuese dhe në përgjithësi VETTING-ut në sistemin e drejtësisë, prandaj më 16 mars ato vetëm do të bëhen publike dhe zyrtarizohen.

Në koordinim më faktorin ndërkombëtar, për çështjen e VETTING-ut, ka thënë se tani më është e konfirmuar mbështetja e fuqishme nga ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, derisa në koordinim dhe kontakte të vazhdueshme janë edhe me Ambasadën Amerikane dhe me BE-në, zyrën përkatëse në Prishtinë. Ajo ka thënë se Mbretëria e Bashkuar publikisht ka dalë hapur në mbështetje të VETTING-ut në sistemin e drejtësisë, prandaj e konsideron që është një hap shumë pozitiv duke pas parasysh që po vjen një mbështetje e madhe prej një shteti jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën së Kosovës, mbështetje e ngjashme pritet edhe nga BE-ja dhe Ambasada Amerikane.

Miratimi dhe fillimi i zbatimit të VETTING-ut, sipas Ministres së drejtësisë duhet të jetë lajm i frikshëm vetëm për shkelësit e ligjit dhe aspak për profesionistët që duan shtet të së drejtës, punë të ndershme dhe barazi para ligjit. Haxhiu ka deklaruar se ka njerëz që i frikësohen VETTING-ut, dhe kjo është e pritshme pasi ata nuk kanë integritet moral e profesional.

“Unë besoj që njerëzit e ndershëm dhe me integritet profesional brenda sistemit të drejtësisë e kanë me interes të rëndësishëm VETTING-un sepse vetëm përmes VETTING-ut do të mund të vjen në shprehje pastaj edhe puna e tyre. Por, natyrisht kemi edhe individ të cilët nuk e duan VETTING-un edhe kjo është e pritshme që ata të cilët konsiderojnë që nuk kanë integritet moral dhe profesional të mos e duan VETTING-un sepse mund të konsiderojnë që nuk arrijnë ta kalojnë procesin e VETTING-ut”, paralajmëron ministresh Haxhiu. E për ta vlerësuar drejtë dhe pa anshëm, në mënyrë shumë profesionale pastërtinë, kredibilitetin dhe integritetin e secilit që do të ballafaqohet me VETTING, ajo ka thënë se është përgjegjës komisioni që do të themelohet si një mekanizëm i pavarur dhe i jashtëm për ta bërë VETTING-un tek të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët.

Lidhur me këtë, qytetaret mezi po e presin jetësimin e VETTING-ut nga i cili pritet që ta spastroj nga krimi në përgjithësi këtë shoqëri kosovare ashtu si duhet, dhe njëherë e përgjithmonë të nisë me funksionua shteti si shtet, ashtu si duhet, dhe të jetësohen ligjet në përgjithësi dhe Kosova mbas jetësimit të ligjeve edhe në praktike, do ta vazhdoj rrugëtimin e sajë të sigurt drejtë BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".