Kurti bashkë me ministren gjermane inaugurojnë parkun e erës në dy fshatra të Mitrovicës

  • E.K /
  • 11 March 2022 - 14:53
Kurti bashkë me ministren gjermane inaugurojnë parkun e erës në dy fshatra të Mitrovicës

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kanë inauguruar zyrtarisht parkun e ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës.

Sipas Kurtit, prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë tonë.

Nga ky vend, Kurti foli për politikat e tij të gjelbra, duke shtuar se me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme.

“Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac. Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por  veçanërisht sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”.

Kreu i Qeverisë tha se tri aspekte janë të rëndësishme kur bëhet fjalë për këtë investim.

“I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 për 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër. Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme. Nuk do të kishte një projekt më të mirë për të hapur rrugën si investimi i parë strategjik, se ky”.

Ministrja gjermane sot kishte ditën e dytë të vizitës në Kosovë dhe më pas ka vazhduar për në Beograd.

(Kosova Sot Online)