“Kryeministër të lutem lidhe zëvendëskryeministrin”, Abdixhiku përplaset me Bislimin, ndërhyn Konjufca

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 15:28
“Kryeministër të lutem lidhe zëvendëskryeministrin”, Abdixhiku përplaset me Bislimin, ndërhyn Konjufca

Seanca e Kuvendit ku është diskutuar për rritjen e çmimeve është përcjellë me përplasje të ashpra ndërmjet shefit të LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe zëvendëskryeministrit, Besnik Bisilimi. Reagimin e ashpër të Abdixhikut e ka nxitur pëshpëritja që Bislimi ka bërë me Kurtin derisa kryetari i LDK’së po fliste në foltoren e Kuvendit.

“Kryeministër të lutem lidhe zëvendëskryeministrin. Trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe por e kini mundësinë këtu në mënyre tolerante dhe njerëzore të diskutoni. Lidhe”, ka thënë Abdixhiku.

Ndaj kësaj deklarate të liderit të LDK-së reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai i kërkoi Abdixhikut që të respektoj kabinetin qeveritar.

“Të lutem z.Abdixhiku respekt ndaj kabinetit qeveritar dhe çdo…Shembullin e tolerancës dhe kulturës më sa pari duhet ta jap individi vet”, ka thënë Konjufca.

“Faleminderit”, u përgjigj Abdixhiku.

Pas fjalimit të Abdixhikut, fjalën e mori zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Bislimi tha se derisa Abdixhiku po fliste, ai e kishte pyetur kryeministrin nëse “vallë e di edhe kohën kur do të përfundojë lufta në Ukrainë e nuk po na tregon”.

Ajo që ndodhi ishte që kur deputeti po shpjegonte se si me saktësi ka parashikuar dhe dijë të gjitha zhvillimet, unë i impresionuar e pyeta kryeministrin se mos vallë e di edhe kohën kur do të përfundojë lufta në Ukrainë e nuk po na tregon”, ka thënë Bislimi.

Bislimi pati edhe një përgjigje për kreun e LDK-së.

“Sa i përket komentit të tij për lidhje ose zgjidhje – duke e njohur mirë deputetin e nderuar, Z. Abdixhiku – dua vetëm të konkludoj se e kuptoj shumë mirë, bashkëndiej me të, por nuk e ndihmoj dot”, tha ai.

(Kosova Sot Online)