Rama e lëvdon Open Balkanin, thotë se nuk u shkëputën kontratat e grurit me Serbi e Maqedoni

  • E.K /
  • 16 March 2022 - 11:32
Rama e lëvdon Open Balkanin, thotë se nuk u shkëputën kontratat e grurit me Serbi e Maqedoni

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se nisma “Open Balkan” nënkupton liri të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Ai madje po thotë se edhe në situatën aktuale që krijoi agresioni rus në Ukrainë, kontratat e grurit dhe misrit të kompanive shqiptare nuk u bllokuan në Serbi, për dallim prej të tjerave.

“Open Balkan nuk është qëndisur as nga Macroni as nga Putini, po është vizion ardhmërie ekonomike e sociale në këtë rajon dhe liri lëvizjeje e njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitaleve, siç u provua edhe në këtë moment krize dramatike në tërë Europën, ku kontratat e grurit e të misrit të kompanive shqiptare apo maqedonase në Serbi, nuk u bllokuan si shumë kontrata të tjera që Serbia ka me vendet e tjera. Në ndërkohë nga Ballkani i Hapur përfitojnë të tërë eksportuesit e Shqipërisë, sidomos fermerët shqiptarë”.

Në një përgjigje te njëri nga komentuesit në profilin e tij në Facebook, Rama deklaroi se “të rrish jashtë Ballkanit të Hapur është thjesht të mos shfrytëzosh lirinë e lëvizjes së lirë”.

Më herët, deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar që t’i jepet fund kësaj nisme përmes një rezolute, duke thënë se kjo bie në kundërshtim me interesin kombëtar Shqipërisë dhe angazhimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ata kanë përmendur edhe faktin që Serbia s’e njeh Kosovën dhe ende e konsideron pjesë të territorit të saj.

(Kosova Sot Online)