Gërvalla shkarkon nga detyra 11 zyrtarë të shërbimit të jashtëm, “u punësuan arbitrarisht”

  • E.K /
  • 16 March 2022 - 12:16
Gërvalla shkarkon nga detyra 11 zyrtarë të shërbimit të jashtëm, “u punësuan arbitrarisht”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie.

MPJ thotë se ky vendim është marrë pas një analize të detajuar ligjore dhe në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës, si dhe anulimit të vendimeve “të jashtëligjshme të marra në të kaluarën”.

“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shton se është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”.

(Kosova Sot Online)