Murati tha se është 170 euro, sa është realisht paga minimale në Kosovë?

  • E.K /
  • 16 March 2022 - 14:46
Murati tha se është 170 euro, sa është realisht paga minimale në Kosovë?

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar ditë më parë se paga minimale në Kosovë do të vazhdojë të jetë 170 euro. Kjo pasi Sindikatat e refuzuan propozimin e qeverisë që paga minimale në Kosovë të bëhet 264 euro.

Murati tha se ky propozim i qeverisë nuk u përfillë nga përfaqësuesit e sindikatave.

E krejt çfarë u arrit sipas Muratit, është se paga minimale për punëtorët e sektorit privat do të vazhdojë të jetë 170 euro.

“Ne si qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi.  Mirëpo, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën.  Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të spjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale.  Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, pati konfirmuar ai.

Por sa është realisht paga minimale në Kosovë?

Aktualisht në Kosovë paga minimale për të punësuarit mbi moshën 35-vjecare është 170 euro. Për personat që janë të punësuar në sektorin privat kjo pagë është më e vogël. Vetëm 130 euro është paga minimale për personat nën moshën 35-vjeçare.

Kjo pagë është caktuar në vitin 2011, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Nga atëherë ka mbetur e pandryshuar.

E kryeministri Albin Kurti pati premtuar se gjatë qeverisjes së tij, paga minimale për të punësuarit në sektorin privat do të ngritët në 250 euro.

Ndërkohë sindikatat janë duke kërkuar që kjo pagë të bëhet 400 euro.

Ata nuk po pranojnë ndonjë propozim më të vogël se kjo shumë.

Kryetari i SPSK-së, Jusuf Azemi nën një konferencë për medie ka thënë se, deri propozimi i pagës minimale prej 250 euro është e vogël.

“I kemi dy propozime nga Qeveria Kurti, i pari ishte që të ketë pagë minimale prej 350 euro dhe ai i dyti që ka ra në 250 euro. Ne e bëjmë me dije që duhet biseduar për pagën minimale. Vetëm përfaqësuesit e sektorit privat kur ta japin pëlqimin atëherë paga minimale mund ta ketë efektin e vetë, përndryshe këtë përbërje të Këshillit Ekonomik Social nuk e njohim dhe për neve pagën minimale nën 400 euro është shumë e vogël”, tha ai.

Në Programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, shkruan se paga minimale do të rritet në 250 euro. Paga minimale në shtetet e rajonit sillet nga 250 deri në 400 euro. 

(Kosova Sot Online)