Biografia e fundit zbulon tronditjen e Mbretëreshës Elizabeth nga divorci i fëmijëve të saj

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 14:18
Biografia e fundit zbulon tronditjen e Mbretëreshës Elizabeth nga divorci i fëmijëve të saj

Si mjeshtre e diplomacisë, Mbretëresha Elizabeth duket gjithmonë indiferente ndaj fatkeqësive, problemeve apo çështjeve që mundojnë familjen e saj.

Në vitet kur divorci i tre prej katër fëmijëve të saj u bë publik, mbretëresha nuk tha asnjë fjalë për këtë, duke qëndruar stoike përballë presioneve të gazetarëve dhe kamerave.

Por privatisht, Elizabeth II “u trondit” kur Princi Charles, Princi Andreë dhe Princesha Anne u divorcuan respektivisht nga Lady Diana, Sarah Ferguson dhe Mark Phillips.

Zbulimet vijnë nga biografia e autorit mbretëror Robert Hardman me titull “Queen of Our Times: The Life of Queen Elizabeth II”.

Hardman hedh në letër emocionet private të mbretëreshës pasi tre fëmijët e saj braktisën martesën e tyre dhe e bënë publik divorcin.

Në një fragment nga libri, Hardman shkruan: “Në pamje të jashtme stoike, si gjithmonë, Mbretëresha i pa bisedimet e divorcit të fëmijëve të saj thellësisht shqetësuese. Herë pas here vihej re dëshpërimi i saj në sy”.

Autori dhe ish-anëtari i stafit mbretëror kujtoi në libër gjithashtu një bisedë që kishte pasur në lidhje me mbretëreshën:

“I thashë, Zonjë, duket se po ndodh kudo. Kjo është pothuajse praktikë e zakonshme tani. Por ajo thjesht tha: “Tre nga katër!” në trishtim dhe zemërim. Nuk duhet nënvlerësuar dhimbja që ka kaluar”, shkruan ai.

Pavarësisht asaj që po kalonte privatisht, mbretëresha Elizabeth nuk e humbi kurrë durimin gjatë “annus horribilis”, viti i tmerrshëm 1992.

Vetëm atë vit, Madhëria e Saj ishte dëshmitare e një zjarri që shkatërroi një pjesë të Kështjellës Ëindsor, divorcin e tre fëmijëve të saj dhe skandalet e vazhdueshme rreth Princeshës Diana dhe Princit Charles.

“Vështirësitë ishin të vazhdueshme, problemi herë pas here i sikletshëm, por ajo vazhdoi pa u ndalur. Është jashtëzakonisht qetësuese në ato situata të punosh për dikë që arrin t’i përballojë kaq mirë emocionet” tha ish-oficeri i saj i shtypit Charles Anson, duke shtuar se Elizabeth II, nuk ka qenë kurrë e papritur, kurrë e irrituar apo nervoze, gjithmonë e qëndrueshme.

(Kosova Sot Online)