Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” thotë se u gjobit nga policia për marshin e 8 marsit

  • E.K /
  • 18 March 2022 - 12:41
Kolektivi “Marshojmë S’festojmë” thotë se u gjobit nga policia për marshin e 8 marsit

Aktivistët e Kolektivit “Marshojmë S’festojmë” thonë se janë gjobitur nga Policia e Kosovës për kundërvajtje për shkak të aksioneve simbolike të ndërrmara më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Kolektivi thotë se këto aksione janë paralajmëruar nga Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” dhe janë pranuar nga Policia.

“Për çdo vit, marshi i 8 marsit po bëhet më i fuqishëm. Këtë vit, marshi i organizuar në Prishtinë, karshi organizimeve në qytete tjera, u bë më gjithëpërfshirës qoftë në terma të kërkimit të përgjegjësisë, grupeve të përfshira dhe mjeteve të protestës. Përgjatë trajektores së marshit i cili filloi tek Pallati i Drejtësisë, në kërkim të drejtësisë për gratë e vrara, aktivistet/ët ndërmorën aksione simbolike duke hedhur ngjyrë dhe duke bërë grafite në formë proteste. Këto ndërhyrje e përshkuan të gjithë rrugën, duke përfshirë këtu Këshillin Prokurorial, Policinë e Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Qeverinë e Kosovës. Përkundër paralajmërimit dhe lejimit të të gjitha ndërhyrjeve simbolike, Policia e Kosovës ka vendosur që të na gjobisë, e gjithë kjo në vazhdën e policimit të organizimeve feministe në Kosovë”.

Gjithashtu, Kolektivi thotë se kjo gjobë, përveç që i revolton, e konsideron edhe të papranueshme dhe thellësisht të padrejtë.

“Kjo pasi që Policia e Kosovës, duke qenë njëra nga institucionet kryesore përgjegjëse  për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave, është konsideruar njëra nga fajtoret për vrasjen e grave. Prandaj, këtë gjobë e cilësojmë si akt hakmarrës nga Policia ndaj aktivisteve/ëve për kritikën ndaj tyre. Është e qartë se aparati shtypës shtetëror duke parë potencialin e organizimit feminist në Kosovë, përmes këtyre përpjekjeve për frikësim, tenton ta dobësojë atë. Megjithatë, ne nuk do të zmbrapsemi. Ne do të vazhdojmë rezistencën tonë dhe do ta kundërshtojmë këtë përpjekje me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion e do të vazhdojmë të organizohemi, çdo herë e më fuqishëm”.

(Kosova Sot Online)