Këto janë zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë

  • E.K /
  • 19 March 2022 - 09:32
Këto janë zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë

Ukraina ka hyrë në ditën e 24’të të luftës. Më poshtë gjeni zhvillimet e fundit lidhur me luftën në Ukrainë:

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për bisedime kuptimplotë të paqes dhe sigurisë “pa vonesa” me Moskën. Sipas tij, ky është shansi i vetëm që Rusia të zvogëlojë dëmin e “gabimit” të saj.

Guvernatori i rajonit lindor ukrainas, Luhansk, tha se pala ruse është pajtuar për hapjen e korridorit humanitar për evakuimin e civilëve.

Ukraina pretendoi se ka vrarë një gjenerallejtënant rus në Çernobaievka. Ushtria ukrainase tha po ashtu se ka shkatërruar: dy avionë, tre helikopterë, tre dronë dhe katër raketa ruse.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pretendoi se të premten ka përdorur për herë të parë armë hipersonike për të goditur një depo armësh në perëndim të Ukrainës.

Inteligjenca britanike tha se Rusia ka dështuar të arrijë qëllimet origjinale në luftën në Ukrainë. Sipas Mbretërisë së Bashkuar, ndryshimi i taktikave ruse mund të rezultojë në vdekjen e më shumë civilëve.

(Kosova Sot Online)