Gjendet i vetëvarur në banesë Saimir Kuçi, ishte në “arrest shtëpie”

  • E.K /
  • 21 March 2022 - 14:18
Gjendet i vetëvarur në banesë Saimir Kuçi, ishte në “arrest shtëpie”

Saimir Kuçi, një nga anëtarët e grupit të grabitjeve “Hijet e Natës”, është gjetur mbrëmë i pajetë në banesën e tij në Tiranë. Mësohet se kanë qenë familjarët e tij ata që e kanë gjetur Kuçin të vetëvarur.

Kujtojmë se Kuçi u arrestua në muajin Nëntor 2021, nga prokuroria e Krujës si person i dyshuar në grabitjen dhe torturimin brenda në banesë të Nazmi Çangut, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës.

Që prej datës 10 dhjetorit të vitit të kaluar, 37-vjeçari qëndronte në banesë, pasi gjykata e Apelit në Tiranë, urdhëroi lirimin e tij nga burgu, duke caktuar masën ‘arrest shtëpie’.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 20.03.2022, në rrugën “Petro Marko” në Yzberisht, është gjetur nga familjarët e tij i pajetë në banesë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi S. K., 37 vjeç.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)