Paralajmërimi i shefit të OKB-së për luftën në Ukrainë: Rrezikohet përmbysja e tregjeve globale të ushqimit dhe energjisë

  • E.K /
  • 21 March 2022 - 14:33
Paralajmërimi i shefit të OKB-së për luftën në Ukrainë: Rrezikohet përmbysja e tregjeve globale të ushqimit dhe energjisë

Pasojat e pushtimit rus në Ukrainë dhe ndikimi i tij në tregjet e ushqimit dhe energjisë mund të kenë efekte serioze në luftën për të frenuar krizën klimatike, ka paralajmëruar shefi i OKB-së, shkruan CNN.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se “pasojat nga lufta e Rusisë në Ukrainë rrezikojnë përmbysjen e tregjeve globale të ushqimit dhe energjisë, me implikime të mëdha për axhendën globale të klimës”.

Një raport i madh i mbështetur nga OKB, i publikuar muajin e kaluar, tregoi se ndikimet nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit ishin më të mëdha se sa mendohej më parë dhe paralajmëroi për ndikime të pakthyeshme nëse bota kalon 1.5 gradë Celsius të ngrohjes globale.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, çmimet e produkteve kryesore bujqësore të prodhuara në rajon janë rritur në “qiell”. Problemi më i madh është gruri.

Furnizimet nga Rusia dhe Ukraina, të cilat së bashku përbëjnë pothuajse 30% të tregtisë globale të grurit, tani janë në rrezik. Çmimet globale të grurit arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në fillim të kësaj jave.

Një problem tjetër madhor është qasja në pleh. Esenciale për fermerët që të arrijnë objektivat e tyre të prodhimit për të korrat, nuk ka qenë kurrë më e shtrenjtë, pasi eksportet nga Rusia po ndalen. Prodhimi në Evropë është ulur gjithashtu falë rritjes së çmimit të gazit natyror, një përbërës kyç në plehrat me bazë azoti si ureja.

Kostoja e misrit, sojës dhe vajrave vegjetale ka qenë gjithashtu në rritje. Kriza Rusi-Ukrainë ka bërë që çmimet e naftës të rriten gjatë muajit të kaluar, duke i çuar çmimet e benzinës në Shtetet e Bashkuara në nivele rekord. Edhe pse çmimet që atëherë janë tërhequr nga nivelet më të larta të tyre të fundit, nafta u rrit përsëri mbi 100 dollarë për fuçi të enjten, si pasojë e shqetësimeve të ripërtërira në lidhje me ndikimin tek furnizuesit rusë të energjisë.

(Kosova Sot Online)