Kryeministri paralajmëron hetim të ri për veteranët, tregon edhe se a do t’ju rriten pensionet

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 11:17
Kryeministri paralajmëron hetim të ri për veteranët, tregon edhe se a do t’ju rriten pensionet

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar hetim të ri për numrin e veteranëve të luftës. Kurti ka insistuar se numri i veteranëve se kalon 20 mijëshin.

Këtë shifër, Kurti e ka dhënë duke u bazuar në fjalët e Rexhep Selimit, duke thënë se ai është ndër personat që e di më së miri përbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Kurtit, me shifrën prej 60 mijë veteranësh, ne po e deformojmë historinë.

:Aty është një dallim i madh. Unë besoj që kjo punë do hulumtim dhe hetim të ri, sepse kemi deformuar historinë tonë me mbi ato 60 mijë emra si veteranë të luftës. Një ndër personat të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më së miri e di përbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Rexhep Selimi. Edhe ai e di shumë mirë me brigade, me batalione, me zona operative, me shatbe. Me njësite se çka ka qenë UÇK. Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë , po veteranë nuk mund ta kalojë 20 mijëshin. Dhe paramendojeni një situatë kur vjen një studiues ndërkombëtar bën doktorraturë për luftën tonë çlirimtare dhe ai dëshiron që të hyjë në të dhënat e instuitucioneve tona për doktorraturën e vetë dhe e gjen aty që paskan qenë mbi 60 mijë veteranë, edhe numri i invalidëve është ca i fryrë, tash kjo është në shpërputhje me ngjarjet e luftës. Ne po e deformojmë historinë tonë. Unë e di që njerëzit kanë nevojë për para, por një numër i madh i veteranëve kanë nevojë për vend pune sepse janë të rinj”, ka thënë Kurti.

Ai ka paralajmëruar krijimin e një Komisioni Shtetëror për këtë punë.  

“Kosova ka nevojë përfundimisht ta rrumbullaksojë edhe në kuptimin sasior e faktik rrëfimin për luftën çlirimtare të Kosovës dhe në këtë kuptim ne na duhet me ditë sa kanë qenë veteranë e sa kanë qenë invalidë. Është nevojë e jona si shoqëri, për brezat e ardhshëm është e nevojshme kjo gjë, për faktorin ndërkombëtar është e nevojshme kjo gjë e me këtë 60 mijëshin s’kem ku shkojmë.

Procesi gjyqësor të tregon se ajo çfarë ke bërë në të kaluarën nuk ka qenë mirë, por nuk të tregon se si duhet. Nuk i kemi pas 60 mijë veteranë. Po e them edhe njëherë , në bazë të Rexhep Selimit, nuk kalohet 20 mijëshi. Po unë po them që askush më mirë se Rexhep Selimi nuk e di dhe kjo nuk dmth se një njeri duhet të vendos. Kjo dmth se duhet të ketë mbase një komision të ri shtetëror që do të na e bëjë një vlerësim të saktë të veteranëve të luftës”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur nëse me rritjen e pagës minimale do të rriten edhe pensionet e veteranëve, Kurti ka thënë se lidhja e kontributit në luftë me pagën minimale nuk është në rregull.

Ka thënë se do të bëjnë një rishikim, por se për këtë nuk mund të flas tash.

“Unë nuk besoj që duhet të ketë lidhje të tillë midis kontributit dhe pagës minimale. Paga minimale lidhet me ekonomi, me marrëdhëniet ekonomike, nuk lidhet me historinë. Duhet ta bëjmë një rishikim të kësaj çështje edhe nuk mund të flas tash. Nuk është mirë të krijojë pritje që deformojnë të ardhmen…besoj që do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Lidhja e kontributit në luftë me pagën minimale nuk është në rregull”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)