Mali i Zi refuzoi hapjen e tri vendvotimeve shtesë për zgjedhjet serbe, Vuçiqi e kërcënon

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 12:52
Mali i Zi refuzoi hapjen e tri vendvotimeve shtesë për zgjedhjet serbe, Vuçiqi e kërcënon

Mali i Zi i është përgjigjur përfundimisht kërkesës së Serbisë për hapjen e tri vendvotimeve shtesë për zgjedhjet serbe. Përgjigjja është negative.

Zgjedhjet serbe të 3 prillit u bënë temë edhe në Mal të Zi ditët e fundit. Kjo çështje ka përfunduar pasi dje Ministria e Jashtme e Malit të Zi u pajtua që ato të mbahen në ambasada dhe konsullata.

Kjo u bë e ditur mbrëmë nga ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq në një intervistë për “Vijesti”.

Vladimir Bozhoviq, ambasadori i Serbisë në Podgoricë, kishte thënë më herët se pret që Ministria e Jashtme malazeze ta ndryshojë vendimin e saj për refuzimin e kërkesës së Ambasadës Serbe për hapjen e tri qendrave shtesë të votimit (në Beranë, Budva dhe Sutomore) për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Tri vendvotimet shtesë, të kërkuara nga Serbia, kishin të bënin me votimin e serbëve të shpërngulur nga Kosova në Mal të Zi.

Raduloviq tha se MPJ-ja malazeze “është përgjigjur pozitivisht” ndaj kërkesave të ambasadës serbe, por se e ka refuzuar kërkesën për hapjen e vendvotimeve shtesë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi “pasoja të mëdha” ndaj Malit të Zi pas përgjigjes negative lidhur me hapjen e vendvotimeve shtesë.

Me këtë rast, dje është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

“Qeveria malazeze e ndaloi votimin në Berane dhe në vende të tjera për zgjedhjet tona. Qeveria e Kurtit kërkoi që ne të njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Mali i Zi, si dhe Albin Kurti, do të marrin përgjigje”, tha Vuçiq.

(Kosova sot Online)