Osmani: Krimi në Krushë të Madhe e të Vogël 23 vjet më parë, dëshmi e pushtetit gjenocidal të Serbisë

  • E.K /
  • 25 March 2022 - 12:10
Osmani: Krimi në Krushë të Madhe e të Vogël 23 vjet më parë, dëshmi e pushtetit gjenocidal të Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrat e kryera në fshatrat e Rahovecit ndërmjet 25-27 marsit të vitit 1999 ku u vranë qindra persona të pafajshëm dhe u dogjën shumica e shtëpive në këto fshatra.

Osmani ka shkruar se tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.

“Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të. Këto vende ngjallin dhimbje, pikëllim, por edhe krenari. 23-vjet pas krimit, gratë e Krushës janë shndërruar në inspirim dhe në model të ngadhënjimit ndaj të keqes”.

Osmani tha se Krusha dhe i gjithë shteti i Kosovës do të jetojnë përherë me kujtimin për të gjithë ata që ranë për liri.

“Nuk do t`i harrojmë ata, por njësoj sikurse gratë e Krushës do të shikojmë kah e ardhmja dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Secila nga këto ditë deri në mes të qershorit, është e mbushur me dhimbje e krenari për popullin e Kosovës. Dje përkujtuam edhe të rënët në masakrën në Kotlinë të Kaçanikut, veprimtarët Latif Berisha e Agim Hajrizi (me familjarë) që u ekzekutuan më 24 mars në Mitrovicë si dhe avokatin e humanistin Bajram Kelmendin, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me dy djemtë e tij. Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar”.

Presidentja ka shkruar se të rënët për liri janë forca dhe vullneti i Kosovës për të ecur përpara.

(Kosova Sot Online)