Sonte në 20:30, kërkohet nga të gjithë ju t’i fikni dritat për një orë, kjo është arsyeja

  • E.K /
  • 26 March 2022 - 12:16
Sonte në 20:30, kërkohet nga të gjithë ju t’i fikni dritat për një orë, kjo është arsyeja

Sonte në orën 20:30, një nga nismat më të mëdha mjedisore në botë, Ora e Tokës, do të bashkojë sërish njerëzit në gjithë globin për të treguar përkushtimin e tyre ndaj planetit Tokë.

Organizata WWF Adria përmes një njoftimi për media ka ftuar kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës që të fikin ndriçimin në ndonjë objekt apo pjesë të veçantë të qyteteve të tyre sot nga ora 20:30 deri në 21:30, dhe kështu, të bëhen pjesë e shënimit të kësaj dite.

“Përderisa biodiversiteti i botës po zvogëlohet në një shkallë të paprecedent, dhe rreth një milionë specie janë të kërcënuara me zhdukje, lëvizja më e madhe në botë për ruajtjen e planetit ka për qëllim të mobilizojë individët, bizneset, dhe qeveritë, të jenë pjesë e bisedimeve dhe zgjidhjeve që nevojiten për një të ardhme të qëndrueshme. Ora e Tokës, e cila filloi në vitin 2007 si ngjarje simbolike e ndaljes së dritave në Sidni të Australisë, sot shënohet në mbi 190 shtete dhe territore. Këtë vit në rajonin fokusi i kësaj ngjarjeje do të jetë ngritja e vetëdijes për llojet e kafshëve që po zhduken me ritëm shumë të shpejtë”, thuhet në apel.

Ndryshe, WWF është një nga organizatat më të mëdha të pavarura e më me reputacion për mbrojtjen e natyrës, me afro pesë milionë mbështetës, dhe një rrjet global aktiv në më shumë se 100 shtete.

Misioni i WWF është të ndalojë shkatërrimin e mjedisit natyror të Tokës, dhe të ndërtojë një të ardhme ku njerëzit jetojnë në harmoni me natyrën.

(Kosova Sot Online)