Albin Kurti në Krushë zotohet për drejtësi: Jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë

  • E.K /
  • 26 March 2022 - 12:50
Albin Kurti në Krushë zotohet për drejtësi: Jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë

Kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe qytetarë të shumtë shkuan në Krushë të Madhe për shënimin e 23-vjetorit të masakrës.

Kryeministri Kurti tha se kërkimi i drejtësisë për 241 personat që u vranë dhe masakruan është bërë shkel e shko deri tani dhe u zotua se Qeveria e tij do të punojë për të sjellë drejtësi për viktimat e krimit serb.

“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejt. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne. Të gjithë së bashku, Qeveria dhe qytetarët duhet të vendosin në të njëtin parim dhe të njëjtën sjellje”.

Kurti tha se drejtësia e Kosovës s’kanë nevojë as të jetë abstrakte as e importuar, por se kërkimi i drejtësisë për këta 241 veta pikë së pari duhet të nisë nga vetë angazhimi ynë.

“Askush s’ka pse të vijë e të na mësojë krimet e luftës dhe të gjenocidit, viktimat foshnje, viktimat gra, dëshmorët dhe të burgosurit, inteligjencën e përdhosur, përkundrazi ne duhet t’u mësojmë atyre që përpiqen të harrojnë fatin e atyre mijëra njerëzve në Kosovë. Për dhimbjen tonë, por edhe për të mirën e vetë atyre”.

Kurti tha se dhimbja në Krushë të Madhe nuk është zhdukur dhe se është realiteti i përditshëm i vendit.

“Historitë në Krushë janë të jashtëzakonshme e do të tregohen në breza. Jeta do të jetojë dhe e drejta do të fitojë, është mësimi që na japin gratë e Krushës. Kjo është historia jonë që na obligon shumë të gjithë neve për kujdes e solidaritet e sidomos për kujtesë të fortë. S’mund të harrojmë asnjë dhe asgjë”.

Për mosndëshkimin e askujt për krimet e Serbisë në Krushë, Kurti tha se e “këtë e kemi kuptuar pas dy dekadave të humbjes së kohës”. 

(Kosova Sot Online)