Presidenti i ri/ Porosia e Ramës për deputetët e PS-së, secili prej tyre me një zarf me tri propozime konkre

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 09:06
Presidenti i ri/ Porosia e Ramës për deputetët e PS-së, secili prej tyre me një zarf me tri propozime konkre

Maxhoranca socialiste ngre grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual për zgjedhjen e Presidentit të ri.

PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Deputetëve u është kërkuar që të vijnë me propozime konkrete konfidenciale për emrin e ri të kreut të shtetit. Burime për gazetën “Panorama” bëjnë me dije se në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama ka porositur deputetët që të bëjnë secili nga tri propozime dhe emrat t’i dorëzojnë me një zarf pa emër pranë grupit të punës.

Pas këtij momenti, do të hartohen edhe kriteret për kandidatët, të cilët, pasi të jenë hapur nga zarfet dhe të jenë nënshtruar procesit, emrat do të seleksionohen për të gjetur kandidatin që do të plotësojë kushtet.

Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, burime për gazetën “Panorama” konfirmojnë se Kryeministri u ka kërkuar deputetëve që çdo fundjavë të shpërndahen nëpër zonat e tyre për të monitoruar nga afër çmimet.

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, pas përfundimit të mbledhjes me Grupin Parlamentar të PS-së, bëri të ditur se do të jenë ata që do të nisin konsultat me partitë e tjera dhe grupet parlamentare. Sipas tij, në mbledhje deputetëve socialistë u është kërkuar gjithashtu që të bëjnë propozimet e tyre për emrin e Presidentit.

“Këto konsultime kanë filluar që sot brenda grupit tonë parlamentar, ku deputetëve iu është kërkuar që të vijnë me propozime konkrete, konfidenciale nëse duhen me qëllim që të kemi gati një short listë të atyre, që mund të jenë kandidaturat e mundshme për t’u mbështetur më pas me firmat”, deklaroi z.Balla.

Teksa foli për mediat, në përfundim të mbledhjes së Grupit të PS-së, Balla u bëri thirrje deputetëve të sjellin propozimet e tyre për emrin e kreut të ri të shtetit.

“Në 31 mars është mbledhja e radhës. Do kemi një kalendar të procesit që do të çojë në zgjedhjen e presidentit të republikës, jo më vonë se 24 maj do të ketë filluar procesi i zgjedhjes së Presidentit. PS ka udhëheqësinë, pasi është me shumicë parlamentare. Bashkë me mua do të jetë edhe Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar për të konsultuar me grupet e tjera parlamentare për të ngritur një dialog për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Deputetëve i është kërkuar që të vijnë me propozime konkrete që ne të kemi gati një short-list që mund të jenë kandidaturat e nevojshme. Pastaj do depozitohen në sekretarinë e Kuvendit”, deklaroi kreu i deputetëve të PS-së.

Në një kohë drejtimin e PD-së po e merr Grupimi i Rithemelit i Sali Berishës, socialistët për momentin e përjashtojnë mundësinë që për kreun e ri të shtetit, të dialogojnë me Berishën.

“Në Kuvend nuk ka një grup parlamentar të quajtur Grupi i Rithemelimit. Isha shumë i kujdesshëm në atë që thashë me grupet parlamentare brenda Kuvendit dhe grupet parlamentare janë ato që ju dini dhe natyrshëm se çfarë ndodh brenda grupeve parlamentare është çështje e brendshme e tyre. Ne kemi vendosur një standard në marrëdhëniet institucionale brenda Kuvendit”, tha Balla.

Kushtetuta përcakton pesë raunde për zgjedhjen e Presidentit

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022. Në bazë të kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Konkretisht, procedura duhet të nisë para datës 24 maj.

Pas përcaktimit të datës së raundit të parë në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti.

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Opozita nuk e bllokon procesin as me mos pjesëmarrjen e saj në seancë, që do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota.

Në mënyrë më të qartë, neni 87 i Kushtetutës dhe neni 109 i Rregullores së Kuvendit, parashikojnë rregullat mbi procedurën e zhvillimit të raundeve të votimit si edhe shumicën e kërkuar në secilin prej raundeve. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit.

Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri në muajin maj do të jetë votuar nga Kuvendi. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate. Votimi quhet i kryer edhe kur në Kuvend nuk ka asnjë kandidaturë.

(Kosova Sot Online)