Fjalët më direkte deri më tani për Ballkanin: Rajonit mund t’i kthehet përsëri flaka

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 12:58
Fjalët më direkte deri më tani për Ballkanin: Rajonit mund t’i kthehet përsëri flaka

Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor s’mund të merret për i mirëqenë. Kështu ka deklaruar kryeministri i një prej shteteve më stabile në botë, norvegjezi Jonas Gahr Store.

Këto shqetësime ai i shprehi në takimin me kryeministrin kosovar Albin Kurti, të cilin e pati sot mysafir në Oslo.

“Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Store, siç njofton Zyra e Kryeministrit të Norvegjisë.

Për këtë, ai i propozoi Kurtit që të gjendet zgjidhja përmes dialogut, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Europian, e për të cilin tha se Norvegjia ofron mbështetje, përkundër që s’bën pjesë në Union.

Për të mos prekur paqen aktuale, Store tha se marrëveshjet e arritura deri më tani duhet zbatuar dhe s’duhet krijuar tensione të tjera, shkruan Gazeta Express.

“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejon që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, tha Store.

Paqja në Ballkanin Perëndimor po shihet si edhe më e brishtë nën hijen e agresionit rus në Ukrainë. Opinione të ndryshme të hedhura në publik thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të destabilizojë edhe këtë rajon, përmes Serbisë, si një shtet tradicionalisht aleat. Madje, ambasadori rus në Bosnjë e Hercegovinë, Igor Kalbukho, pati paralajmëruar pasoja nëse ky shtet ballkanik vendos të bëhet pjesë e NATO-s. Gjithashtu, edhe NATO e ka potencuar se Bosnja e Hercegovina është vend me rrezik për destabilizim.

Siguria në rajon dhe Europë ishte temë e Kurtit dhe ministres së Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt, gjatë vizitës së tij në Oslo.

(Kosova Sot Online)