Kremlini: Pavarësisht fyerjeve, dialogu mes Rusisë dhe SHBA-së duhet të vazhdojë

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 14:40
Kremlini: Pavarësisht fyerjeve, dialogu mes Rusisë dhe SHBA-së duhet të vazhdojë

Dialogu në mes Rusisë dhe SHBA-së vazhdon të jetë i nevojshëm, përkundër deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Joe Biden, që “dëmtuan marrëdhëniet”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të martën.

“Fyerjet personale nuk mund të mos lënë gjurmët e tyre negative në marrëdhëniet midis krerëve të shteteve”, tha Peskov.

“Megjithatë, dialogu ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm në çdo rast, jo vetëm në interes të dy vendeve tona, por edhe në interes të të gjithë botës”, shtoi ai.

“Në një mënyrë apo tjetër, herët a vonë, [Rusia dhe SHBA] do të duhet të flasin për çështje të stabilitetit strategjik, sigurisë dhe çështje të tjera që vetëm ne mund t’i diskutojmë”, tha ai.

Biden e ka quajtur presidentin rus “kasap”, pas një vizite të refugjatëve ukrainas në Poloni. Gjithashtu, ai ka thënë se “Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet”, duke thënë se me këtë iu drejtua popullit rus.

(Kosova Sot Online)