NATO hapë tender 750 mijë eurosh për pajisjet biometrike të KFOR-it

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 14:53
NATO hapë tender 750 mijë eurosh për pajisjet biometrike të KFOR-it

Agjencia e NATO-s për Komunikim dhe Informacion (NCI) ka publikuar një dokument lidhur me hapjen e tenderit për pajisje biometrike të regjistrimit dedikuar forcës paqeruajtëse të KFOR-it.

Ofertat e tenderit për Aftësinë e Inteligjencës Biometrike të Identitetit të NATO-s kapin shumën e 750 mijë eurove.

Sipas dokumentit, me këtë tender synohet që t`i sigurohen KFOR-it gjashtë grupe të pajisjeve të regjistrimit biometrik me bazë në zyrë.

Sipas të të njëjtit dokument llogariten edhe tetë grupe shtesë të këtyre pajisjeve (gjashtë si rezervë dhe dy për regjistrim celular në pikat e kontrollit) të cilat paraqesin “modalitetet minimale” të biometrisë së fytyrës, gjurmëve të gishtave dhe irisit”, shkruan Biometricupdate.com.

Agjencia e NATO-s për Komunikim dhe Informacion ka konfirmuar mes tjerash se po planifikon të publikojë edhe thirrjen formale për ofertë në tremujorin e tretë të këtij viti, duke synuar ujdinë deri në tremujorin e katërt të 2022-ës.

“Më konkretisht, qëllimi është të ndihmojë autoritetin kryesor të KFOR-it, (departamentin) J2X Vetting Cell, në kryerjen e verifikimit dhe shqyrtimit të punonjësve lokalë. Fituesi do të “prokurojë, vendosë, instalojë pajisjet fikse dhe portative biometrike dhe të sigurojë mirëmbajtjen dhe përditësimet e pajisjeve të regjistrimit të biometrisë”, thuhet në dokument.

Agjencia NCI ka bërë publike tashmë edhe listën fillestare të ofertuesve, ku ndër të tjera përfshihen kompanitë: Atos, Thales, Honeywell dhe Parsons.

Aleanca Veri-Altantike ka vendosur ushtarët e saj në kuadër të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999.

Aktualisht rreth 3600 trupa janë të angazhuara në KFOR

(Kosova Sot Online)