Shikohet CD-ja e vendit të ngjarjes për vrasjen shkaku i borxhit në Ferizaj

  • E.K /
  • 30 March 2022 - 14:59
Shikohet CD-ja e vendit të ngjarjes për vrasjen shkaku i borxhit në Ferizaj

Me administrimin e provave dhe shikimin e CD-së së vendit të ngjarjes, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën ka vazhduar gjykimi në rastin ku Albert Ramadani po akuzohet për vrasjen e Besart Hasanit më 2018.

Në këtë çështje, për pjesëmarrje në rrahjen, e cila i kishte paraprirë vrasjes po akuzohen Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi. Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMW X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes.

Paraprakisht, tre të akuzuarit Fadil Ramadani, Artan Ramadani dhe Argjend Ramadani, u sollën me detyrim në seancë, pasi munguan në fillim të seancës, e cila ishte caktuar për në orën 10:00.

Të njëjtit mungesën e arsyetuan me atë se e kanë ngatërruar datën e seancës, duke menduar që e njëjta është të enjten.

Fillimisht, seanca ka vazhduar me administrimit e provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas administrimit të provave, avokati i palës së dëmtuar Ramiz Krasniqi ka propozuar që të shikohet sërish CD-ja e vendit të ngjarjes në këtë gjykim.

Më pas, propozimin e tillë e ka aprovuar kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ramadani, avokati Ymer Huruglica, ka kërkuar që gjatë shikimit të CD-së, të përjashtohet publiku, për shkak të ndjeshmërisë.

Sa i përket propozimit për përjashtimin e publikut, prokurori i rastit, Rasim Maloku, tha se kjo i mbetet trupit gjykues të vendosë.

Ndërsa, kundër propozimit për përjashtimin e publikut, ishte përfaqësuesi i familjes së tani të ndjerit Hasani, avokati Ramiz Krasniqi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Driton Krasniqi, avokati Fitim Shabani.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, mori aktvendim që publiku të përjashtohej dhe seanca të jetë e mbyllur përkohësisht.

Pas kësaj, gjykatësi Tahiri njoftoi se gjykata ka pranuar ekspertizën psikiatrike përkitazi me gjendjen emocionale të të akuzuarit Albert Ramadani të urdhëruar më 25 shkurt 2022.

Lidhur me këtë, avokati Ymer Huruglica ka propozuar që për seancë të radhës të ftohet eksperti i psikiatrisë, propozim të cilin aprovuar, gjykatësi i çështjes, Mustaf Tahiri.

Në këto rrethana seanca e radhës u caktua më 8 prill 2022.

(Kosova Sot Online)