Vjosa Osmani e Glauk Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Lybeniqit

  • E.K /
  • 01 April 2022 - 15:39
Vjosa Osmani e Glauk Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Lybeniqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku kanë bërë homazhe në nderim të viktimave të agresionit serb në Lybeniq të Pejës.

Osmani tha se pa sakrificën e tyre, Kosova nuk do të mund të gëzonte lirinë e saj.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Osmani.

Derisa Konjufca tha se prilli i vitit 1999 erdhi i thyer në Kosovë, i kobshëm e i trishtë për popullin e Kosovës.

“Vetëm gjatë atij muaji më shumë se 1500 jetë të shuara mizorisht, fëmijë, gra e pleq, vëllezërit e motrat tona të masakruara dhe të zhdukura me dhunë nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë. Shtëpitë digjeshin bashkë me trupat e njerëzve të gjallë.  Sot, 23 vite pas, le t’i kujtojmë Lybeniqin, Gjakovën, Mejën, Sopinë, Kralanin, Qypevën, Rezallën, Kaçanikun, Lubizhdën, Sllovinë, Poklekun, Çikatovën e Vjetër, Ribarin e Vogël, Koliqin, Hallaçin e Vogël, Grashticën, Dobroshin, Korenicën, Guskën dhe shumë vendbanime tjera si dëshmi e masakrave më të pamëshirshme, barbarizmit dhe gjenocidit të Serbisë pushtuese në Kosovë. Dëshmorët dhe martirët janë kujtimi ynë i përmotshëm dhe drita e pashuar e lirisë së Republikës!”.

Krerët e shtetit edhe nga ky vend bënë zotime se do të punojnë për të vënë para drejtësisë kryesit e gjenocidit. 

(Kosova Sot Online)