Nis festa në veri të Kosovës pas adresimit të Vuçiqit

  • E.K /
  • 04 April 2022 - 08:05
Nis festa në veri të Kosovës pas adresimit të Vuçiqit

Menjëherë pas adresimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd, në Veriun e Kosovës ka nisur festa. 

Rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk kanë dalë akoma, por në Mitrovicën Veriore ka nisur festa në rrugë me flamuj të Partisë Progresive Serbe, të cilën e udhëheq presidenti serb. 

Në pamjet që ka publikuar Kossev, para pak minutash, disa qytetarë janë mbledhur rreth sheshit kryesor në Veri. 

Vuçiq në adresimin e tij, derisa po numëroheshin votat, tha se ka marrë më shumë se 90% të votave të serbëve të Kosovës dhe të Republikës Srspka në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Presidenti serb, sipas rezultateve preliminare, po prin në garën e tij për t’u rizgjedhur në krye të shtetit. Raportohet se ka marrë shumicën edhe në zgjedhjet parlamentare. Por, sipas koalicionit opozitar, partia e Vuçiqit po e humb qeverisjen në Beograd, pasi koalicioni i tyre thonë se e ka shumicën. 

Në Serbi, sot janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe zgjedhjet lokale në 14 komuna, përfshirë Beogradin. 

(Kosova Sot Online)