Pas 17 muajve, policët serbë vendosen në objektet e BE-së në Merdarë e Mutivodë

  • E.K /
  • 05 April 2022 - 11:45
Pas 17 muajve, policët serbë vendosen në objektet e BE-së në Merdarë e Mutivodë

Misioni i EULEX-it në Kosovë e ka quajtur një përparim pozitiv funksionimin total të pikë kalimeve kufitare Merdarë e Mutivodë.

Përmes një postimi në Twitter, EULEX ka theksuar se kjo do të reduktojë kohën e pritjes për qytetarët që i përdorin këto pikë kalime kufitare.

“Zhvillim pozitiv: Pikat e Përbashkëta të Kalimit në Merdarë & Mutivodë janë plotësisht funksionale! Kjo do të reduktojë kohën e pritjes për pasagjerët, duke bërë një ndryshim në jetën e të gjithë qytetarëve që i përdorin ato”, thuhet në postimin në Twitter.

Më tej në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare EULEX shton se përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (PSBE-DBP) e lehtësoi vendimin për funksionalizimin e plotë të dy PKP-ve, ndërsa Njësia për Mbështetjen e Dialogut aktualisht nën drejtimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ( EULEX) ka ndihmuar në bashkërendimin e procesit të tranzicionit në të dy PKP-të, funksionalizimi i plotë i të cilave pritet ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e pritjes për pasagjerët, duke bërë një ndryshim në jetën e të gjithë qytetarëve që i përdorin ato.

“Në rastin e PKP-së në Mutivodë, PSBE-DBP dhe EULEX-i gjithashtu siguruan që autoritetet serbe të mund të kalonin me sukses në objektet e reja, falë bashkëpunimit të ngushtë me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve (UNOPS), e cila i kreu punimet infrastrukturore dhe të  mirëmbajtjes.

Gjatë vizitës së Shefit të Shtyllës së EULEX-it për Monitorim, Benny Tollestrup Jensen, dhe Këshilltarit të Lartë për MIK për Dialogun Beograd-Prishtinë, Alan Ëilson në Merdarë dhe Mutivodë më 25 mars, përfaqësuesit e lartë të Policisë dhe Doganës së Kosovës dhe të Serbisë e shprehën falënderimin e tyre për Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të ofruar për sigurimin e funksionimit efektiv dhe efikas të PKP-ve”, thuhet në njoftim.

PKP-të në Merdarë dhe Mutivodë janë objekte të avancuara të financuara nga BE-ja dhe janë hapur në bazë të Protokollit Teknik për MIK të rënë dakord ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Autoritetet e Kosovës u vendosën në PKP-në në Merdarë në tetor 2018 dhe në PKP-në në Mutivodë në korrik 2019.

Protokolli parashikon krijimin e gjashtë PKP-ve ku qëllimi kryesor është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe.

Të gjitha gjashtë PKP-të e parapara vazhdojnë të jenë funksionale dhe e kanë përmirësuar jashtëzakonisht shumë kalimin e papenguar të qytetarëve dhe tregtarëve nga Kosova dhe Serbia.

(Kosova Sot Online)