Për abuzimet 1.054.000 euro, drejtësia në provim me gjykimin e katër ish-ministrave të Thaçi 2

Për abuzimet 1.054.000 euro, drejtësia në provim me gjykimin e katër ish-ministrave të Thaçi 2

Gani Qarri

  • 05 April 2022 - 07:42

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Lidhur me aferën e njohur të Hidrocentraleve në gjykatën Themelore të Prishtinës ka një vit që është duke vazhduar gjykimi për krim të organizuar, ku po akuzohen hiq më pak se katër ish-ministra të "paprekshëm" të Qeverisë Thaçi 2, që nga Besim Beqaj e Mimoza Kusari-Lila, deri te Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, e bashkë me ta edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.

-Për shkak të peshës së aktakuzës, rasti në fjalë, është duke u gjykuar nga vet Prokuroria Special në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, madje në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit, e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, me të cilën ishte vërtetuar aktakuza ndaj Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka. Prandaj me të drejtë dhe pritet që ky të jetë testi më serioz,për drejtësinë, që vërtetë të nxjerrë një epilog real dhe veprim të drejtë e të paanshëm gjyqësor, kundër katër ish ministrave të ish Qeverisë Thaçi 2, të akuzuar për aferën e hidrocentraleve, akt me të cilin do ta dëshmonte fillimin e shkëputjes së drejtësisë së kapur nga ndikimi i ish pushtetit të inkriminuar të lidhur me krimin dhe grupet kriminale të interesit në vend.

E siç dihet, në gjykatën Themelore të Prishtinës ka një vit që katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2; Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, akuzohen se me procedurën e privatizimit të katër hidrocentraleve, Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.

Kurse vet gjykimi në këtë proces , tanimë ka hyrë në një maratonë të gjatë, pasi që shqyrtimi kryesor për akuzat e PSRK-së, ka filluar qysh më 1 korrik të vitit 2021, ndërsa seanca e fundit është mbajtur me një prill, dhe ajo e parafundit më 10 shkurt, ku u aprovua propozimi i PSRK-së për leximin e deklaratave të katër dëshmitarëve. Për aq më tepër, siç dihet tanimë publikisht,rasti në fjalë, për shkak të peshës penale, është duke u gjykuar me aktakuzë të ngritur nga vet Prokuroria Speciale, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit, ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, me të cilën është konfirmuar padia e ngritur kundër të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përndryshe, me gjithë insistimin e të paditurve, në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar të gjitha kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që ti shkaktojnë dëm shtetit dhe mundësojnë dobi pasurore kompanisë turke Limak Calik, i kanë tejkaluar kompetencat e veta zyrtare.

Dhe të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, fillimisht të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen me dallavere, tek kompania turke “Limak-Calik”, gjë që është akt i rëndë penalizues, dhe të apostrofuarit, përfundimisht duhet ta marrin dënimin e merituar. Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto vepra kundërligjore, të njëjtën ditë, prej tyre janë nënshkruar kundërligjshëm marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe, me nënshkrimin e kundërligjshëm të të cilave, është përmbyll edhe procesi i privatizimit antligjor të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.

Një akt i tillë inkriminues nuk ka guxuar të ndodhë, pikësëpari nga vet Besim Beqaj i PDK-së, si kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim edhe për vet faktin se sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion, dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të gjitha të mbesin në kuadër të KEK-ut. Kështu që me këto veprime, vet kryesuesi i Komitetit Qeveritar për Privatizim Besim Beqaj me të lartcekurit e tjerë, kanë dëmtuar qëllimisht interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, për çka vetëm për qira mujore në periudhën e mbetur, dëmi i shkaktuar është mbi 1,054.000.00 euro, e cila sipas ligjit është dashur t’i paguhet KEK-ut, dhe jo kompanisë turke Limak-Calik, akt i rëndë kundërligjor për të cilin të gjithë këta, duhet të marrin dënimin e shkallës më të lartë të mundshme penale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".