Shefi i diplomacisë austriake kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 11:09
Shefi i diplomacisë austriake kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg është shprehur se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina. Ai kërkoi liberalizim të vizave me Kosovën dhe hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370 mijë refugjatë, ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka folur edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë”, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters.

Schallenberg kërkoi nga BE që të hapë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.

Po ashtu ministri i Jashtëm austriak, Schallenberg ka kërkuar që të liberalizohen vizat sa më shpejt me Kosovën.

“Kosova edhe Bosnje-Hercegovina duhet të marrin po ashtu një perspektivë anëtarësimi. Bëhet fjalë nëse këto gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të mbeten në rrugën europiane të demokracisë e lirisë apo jo”, tha Schallenberg duke kujtuar influencën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera në rajon.

BE nuk duhet të harrojë, se procese të mëparshme anëtarësimi kanë çuar në forcimin e zhvillimeve demokratike tek vendet e sotme anëtare, tha Schallenberg.

“Pa anëtarësimin në BE, vendet europianolindore sot ndoshta do të ishin në një gjendje tjetër edhe më të vështirë”, u shpreh Schallneberg, duke pasur parasysh Rusinë.

(Kosova Sot Online)