Topi gjendet 20 kilometra larg fshatit, ende asnjë gjurmë të trupit të 10-vjeçarit

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 12:51
Topi gjendet 20 kilometra larg fshatit, ende asnjë gjurmë të trupit të 10-vjeçarit

Katër polumbarë dhe dhjetra forca policie janë duke kërkuar për trupin e 10-vjeçarit që ra dje në lumin Fan duke luajtur me top me bashkëmoshatarët e tij. Krahas tyre janë edhe dhjetra të afërm që po ndjekin rrjedhën e lumit me shpresën se mund ta gjejnë 10-vjeçarin.

Ky i fundit ra në lumë në fshatin Shtrungaj të Mirditës teksa po merrte topin. Në drejtim të vogëlushit shkoi edhe i vëllai duke tentuar ta ndihmonte por rrjedha e fortë e mori atë duke i lënë vetëm xhupin në dorë.

Mësohet se deri më tani, polumbarët kanë gjetur 20 kilometra larg vendit të ngjarjes topin, me të cilin po luanin fëmijët, ndërsa ende nuk ka asnjë shenjë për trupin e 10-vjeçarit.

Daja i fëmijës shprehet se policia ka ardhur shumë vonë edhe pse u lajmëruan menjëherë pas ngjarjes.

“E kam djalë motre. Më thanë se ishte duke luajtur top, topi kishte rënë në ujë dhe kishte dashur ta marrë. Ka shkuar i vëllai ta shpëtonte. Shyqyr që shpëtoi njëri. Shtetin e kanë lajmëruar por ka ardhur shumë vonë. U vonua 3 orë. Të paktën të gjejmë trupin. Këtu na thonë se ka pasur fëmijë që janë zhdukur. Ta gjejnë prej hallit që na ka ra prej motrës. Është shumë ujë dhe i rrëmbyeshëm. Ishalla po e gjejnë.” tha daja i fëmijës.

(Kosova Sot Online)