Restaurimi i “Kullës së Jasharajve”, ekspertët vizitojnë vendin dhe njoftohen nga afër për punët që duhet bërë

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 13:35
Restaurimi i “Kullës së Jasharajve”, ekspertët vizitojnë vendin dhe njoftohen nga afër për punët që duhet bërë

Ministria Kulturës ka njoftuar se një komision  ekspertëve në përbërje të atyre vendorë dhe ndërkombëtar, kanë vizituar kompleksin memorial Adem Jashari, saktësisht “Kullën e Jasharajve” për t`u njoftuar nga afër për punët që i presin për restaurimin e Kullës.

Në njoftim, tutje thuhet se historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton, në mënyrë dinjitoze dhe me krenari.

Njoftimi i plotë:

Komisioni i ekspertëve i angazhuar nga Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari, në përbërje të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, gjatë javës së kaluar kanë zhvilluar vizitat në terren në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, dr.Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me Kompleksin.
Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministri i planifikimit hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.
Komisioni i ekspertëve gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e Kompleksit.

(Kosova Sot Online)