Dënohen me nga 700 euro dy thertoret që hodhën në lumë mbetje të kafshëve në Gjilan

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 13:40
Dënohen me nga 700 euro dy thertoret që hodhën në lumë mbetje të kafshëve në Gjilan

Inspekcioni në komunën e Gjilanit i ka dënuar me nga 700 euro dy thertoret që ndotën lumenjtë me mbetje të kafshëve në këtë qytete.

Për këtë gjë ka njoftuar kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shtojnë kujdesin ndaj ambientit.

“Gjatë 24 orëve të fundit nga drejtoria e Inspekcionit, pas inspektimeve në terren dhe sigurimit të dëshmive nga palët ankuese, janë shqiptuar gjobat konform Rregullores Komunale pasi që është konstatuar ndotja e lumenjve me gjak dhe mbetje fundrrinore, e cila është bërë gjatë trajtimit të ujërave të impianteve të dy therrtoreve në afërsi. Lusim të gjithë qytetarët dhe bizneset të shtojmë kujdesin në ruajtjen e ambientit!”, ka shkruar ai.

Një banor i fshatit Malishevë të komunës së Gjilanit ka dërguar pamje të lumit të fshatit i cili ka marrë ngjyrën e kuqe. I njëjti pretendon se një thertore po i hedh mbetjet në lumë.

Lidhur me rastin, shefja e kabinetit të kryetarit të Gjilanit Arbenita Sopi, tha për Gazetën Express se inspekcioni ka dal në vendin e ngjarjes dhe raste të kësaj natyre ka pasur gjatë ditës së djeshme edhe në lokacione tjera në komunën e Gjilanit.

“Është e njoftuar për rastin drejtoresha e Inspekcionit dhe e ka dërgu një ekip në vendin e ngjarjes”, tha Sopi.

Sipas banorit, fotografitë janë realizuar mëngjesin e sotëm.

(Kosova Sot Online)