Presidentja nis vizitat nëpër Komuna, e fillon me një të Vetëvendosjes

  • E.K /
  • 06 April 2022 - 13:49
Presidentja nis vizitat nëpër Komuna, e fillon me një të Vetëvendosjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Komunën e Gjilanit që udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, për të nisur kështu turin e saj nëpër qytete nëpër të gjithë Kosovën.

Osmani ka thënë se gjatë qëndrimit të sotëm në Gjilan do të shoh se çfarë punë po bëhet nga kryetari më i ri në moshë dhe çfarë bashkëpunimi mund të realizohet në të ardhmen.

“Përshëndetje, jemi rrugës për Gjilan. Siç e dini ka kohë që kemi planifikuar vizitat tona nëpër komuna të ndryshme, tani është mëse e domosdomshme që të ulemi me kryetarët dhe të flasim bashkë me ta, për sfidat me të cilat ballafaqohen ata, të shohim se si mund t’i tejkalojmë ato bashkërisht. Kemi filluar me komunën e Gjilanit që udhëhiqet nga kryetari më i ri në moshë, për të parë se çfarë punë po bëhen dhe çfarë punë mund të bëjmë tash e tutje”, ka thënë Osmani në një videomesazh të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “facebook”.

Komuna e Gjilanit në zgjedhjet e fundit lokale është karakterizuar me një garë tejet interesante dhe është qyteti që ia ka shpëtuar liderit të VV’së, Albin Kurtit, zgjedhjet e fundit për komuna, meqë VV e ka humbur Prizrenin me Mytaher Haskukën dhe ka pësuar disfatë në Prishtinë me Arben Vitinë.

Kreu aktual i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kishte arritur ta mposhtë në zgjedhje lokale Lutfi Hazirin, i cili ka qenë kolegë dhe bashkëpartiak i presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa kjo e fundit ishte në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Vetëvendosje në garën për zgjedhjet lokale në Gjilan ka qenë në koalicion me Listën GUXO, e cila tashmë është shndërruar edhe në parti politike që drejtohet nga Donika Gërvalla.

(Kosova Sot Online)