Në Ditën e Shëndetit, në 5 pika prishtinasit mund të masin tensionin, glikeminë e marrin këshilla falas

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 08:29
Në Ditën e Shëndetit, në 5 pika prishtinasit mund të masin tensionin, glikeminë e marrin këshilla falas

Me rastin e 7 Prillit – Ditës Botërore të Shëndetit, Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës do të organizojë disa aktivitete për të shënuar këtë ditë, me moton “Planeti ynë, shëndeti ynë”.

Këto aktivitete do të organizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht me Departamentin Mjekësor të FSK-së dhe studentët e Kolegjit “Universum”.

Sikur bëhet e ditur në një komunikatë shtypi të Komunës së Prishtinës, qëllimi i këtyre aktivitete është vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me ruajtjen e shëndetit, përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor të ofruar nga stafi mjekësor gjatë këtij aktiviteti.

Ekipet mjekësore do të jenë në pesë “pika”:

– QMF 3 në hyrjen e parkut të Gërmisë (nga ora 07:00 deri në 10:00)

– Një ekip mobil në rajonin e Keçekollës (10:00 – 13:00 h)

– QKMF – FSK në sheshin “Zahir Pajaziti” (11:00 – 16:00)

– QMF 11 te Parku i Qytetit (11:00 – 15:00)

– QMF 7 – FSK në hyrje të Stacionit të Autobusëve (11:00 – 14:00)

– Qendra për të Moshuar në lagjen “Tophane” (11:00 – 14:00)

Aktivitetet shëndetësore do të përmbajnë: matjen e shtypjes së gjakut, matjen e glikemisë, matjen e peshës trupore, llogaritjen e IMT me anë të tabelave përkatëse, këshillat për jetesë të shëndetshme, efektet negative të konsumimit të duhanit, alkoolit dhe substancave narkotike duke shpërndarë edhe material edukativ në formë të broshurave.

Në ora 12:00, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, do të vizitojnë punën e ekipeve mjekësore të vendosur në tendën në sheshin “Zahir Pajaziti”.

(Kosova Sot Online)