Vushtrriasi “thyen rekord”, arrestohet dy herë brenda ditës

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 09:26
Vushtrriasi “thyen rekord”, arrestohet dy herë brenda ditës

Një burrë nga Vushtrria është arrestuar dy herë gjatë ditës së djeshme.

Fillimisht, ai është arrestuar bashkë me një burrë tjetër, rreth orës 15:00, pasi që kishin kanosur një person pas një mosmarrëveshje pronësore, e më pas edhe zyrtarin policor.

Pas intervistimit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.

“Vushtrri, 06.04.2022 – 14:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjti pas një mosmarrëveshje pronësor kanë kanosur viktimën mashkull kosovar dhe më pas kanë kanosur edhe zyrtarin policor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Por, njëri prej tyre është arrestuar sërish në mbrëmje, meqenëse ka kanosur zyrtarin policor që ishte në rast.

Këtë herë, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

“Shtesë: Më 06.04.2022 rreth orës 22:40, njëri nga të dyshuarit, përmes telefonit ka kanosur përsëri zyrtarin policor që ishte në rast. I njëjti përsëri është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është hapur rast i veçantë”, ka njoftuar Policia.

(Kosova Sot Online)